Ministrja e shëndetësisë, Anila Godo e cilësoi Vitin 2008 më të vështirin përsa i përket furnizimit me medikamente të spitaleve, por premtoi se ky problem do të marr fund vetëm në dy muajt e parë të vitit 2009.
Anila Godo: “Ky vit ka qenë i vështiri në mungesën e medikamente e materiale konsumi. E përgjegjësia kryesore për këto mungesa bie mbi ministrinë. S’ka dyshim që në këtë ka gisht edhe korrupsioni. Kur mora detyrën si ministre, premtova se deri në fund të vitit do të plotësohen nevojat e spitaleve, kësaj nuk ia dola plotësisht. Por mund të them se duke u nisur nga janari-shkurti që vjen spitalet do të kenë gjithçka që u takon të kenë.”
Këtë premtim Godo e bëri gjatë analizës së fundvitit, ku edhe prezantoi disa nga projektet për 2009.
Anila Godo: “Nga 1 janari hyn në fuqi hapi i parë i reformës spitalore, me decentralizimin e disa zërave të buxhetit. Reforma në sektorin farmaceutik tashmë e filluar që gjatë muajit dhjetor, nga janari do të marrë formën e plotë e do të japë tre rezultate të drejtpërdrejta. Eliminimin e aferave korruptive në këtë fushë, në këtë sektor, lehtësimin e biznesit, plotësimin e tregut me shumëllojshmëri medikamentesh të standardeve të pretenduara. Gjatë muajve janar-shkurt do të paraqitet e dërgohet për miratim ligji i financimit shëndetësor, ligji për sigurimin shëndetësor. I detyrueshëm për të gjithë e në përshtatje me gjendjen e shtesave të caktuara.”
Po ashtu ministrja theksoi se 2009 do të jetë viti i propagandës për parandalimin e sëmundjeve, si dhe rritjen e disiplinës, shërbimit e higjienës në gjitha institucionet shëndetësore./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami