Një 21-vjeçar nga Suedia është kapur në pikën e kalimit kufitar Muriqan. Ai kishte në makinën e tij 19 pistoleta. Nuk dihet se ku i kishte marrë ato armë, por policia thotë se i riu nga Suedia po udhëtonte si pasagjer në autobusin e linjës Kosovë-Gjermani.

Ai u ndalua dhe u dërgua në paraburgimin e policisë së Shkodrës. Sipas një zyrtari të policisë, ky është një rast që lidhet me trafikun e armëve nga Kosova drejt vendeve të BE.

Njoftimi i policisë: 

Krahas masave për përballimin e fluksit, krijimin e lehtësirave ligjore me qëllim shmangien e radhëve dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor e në kohë për turistët dhe gjithë pushuesit që vijnë në Shqipëri për sezonin veror, shërbimet e Policisë Kufitare Muriqan kanë rritur edhe kontrollin në drejtim të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë, kryesisht trafiqeve të paligjshme që mund të kryhen duke përfituar nga fluksi i madh.

Si rezultat i shtimit të kontrolleve duke përdorur edhe qentë antidrogë dhe antieksplozivë është bërë e mundur që të konstatohet dhe goditet një rast i trafikimit të armëve të zjarrit.

Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, bënë  arrestimin  në flagrancë të shtetasit :

– Sebastian Vall,  21 vjeç, banues në Suedi.

Në PKK Muriqan në dalje gjatë  kontrollit të detajuar në vijën e dytë, në çantën e  21 – vjeçarit  suedez, i cili udhëtonte si pasagjer në autobuzin e linjës “Kosovë -Gjermani”, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 19 armë zjarri tip “pistoletë”, kalibër 7.65.

Veprimet po vijojnë nga Specialistët e Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Policisë Shkodër për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti të trafikut të armëve.

Materialet do ti referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” parashikuar nga neni 278/a i Kodit Penal. /

tvklan.al