Ministria e Bujqësisë: Importohen vetëm kafshët me certifikatë shëndetësore veterinare
Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë urdhër që ndalon importin e derrave nga Maqedonia e Veriut, përkatësisht për derrat që importohen nga disa nga ndarjet administrative të përcaktuar në këtë urdhër i cili është botuar në fletorën zyrtare.
Ndërsa për kafshët e gjalla të llojit derra të butë dhe të egër që do të lejohet importi nevojitet certifikata shëndetësore veterinare që duhet të vërtetojë që kafshët: nuk kanë shfaqur shenja klinike të murtajës afrikane të derrave ditën e dërgesës; janë mbajtur që nga lindja ose për tre muajt e fundit në një zonë pa prezencë të murtajës afrikane të derrave ose janë mbajtur në një stacion karantine, të izoluar për 30 ditë përpara dërgesës dhe i janë nënshtruar një testi virologjik dhe një testi serologjik të kryer të paktën 21 ditë pas hyrjes në stacionin e karantinës, me rezultate negative.
Me herët Ministria e Bujqësisë me urdhrat e publikuar në fund të Dhjetorit të 2023, ka ndalur importet e derrave nga Sllovakia, Italia, Hungaria, Bosnjë-Hercegovina, Letonia, Lituanisë, Estonisë, Moldavia, Poloni, Ukraina dhe Kroacia. Edhe për këto shtete ndalimi i importit është përcaktuar sipas ndarjeve administrative pas njoftimeve të marra për përhapjen e kësaj sëmundjeve në këto zona.
Murtaja afrikane e derrit është sëmundje ngjitëse virale, që shkakton ethe hemorragjike te derrat e butë dhe të egër. Kjo sëmundje mund të sjellë pasoja të rënda në produktivitetin e sektorit të mbarshtrimit të derrave, por përbën edhe një kërcënim për sigurinë ushqimore.
Klan News