Vetëm përgjatë periudhës Janar-Nëntor të këtij viti sipas Ministrisë së Financave të ardhurat totale arritën në rreth 647 miliardë Lekë, duke shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Sipas këtij dikasteri, të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, pa kontributet për periudhën 11-mujore të këtij viti, janë në shumën e 416.4 miliardë Lekë.
Krahasuar me 11-mujorin e 2023, janë mbledhur 31.6 miliardë Lekë ose 8.2% më shumë.
Ministria e Financave bën të ditur se të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore u realizuan në vlerën 209 miliardë Lekë ose 11.5 miliardë Lekë më shumë se 11-mujori i viti 2023.
Një peshë tjetër të rëndësishme në indikatorët ekonomikë të vendit zë edhe tatimi mbi të ardhurat personale që arritën në vlerën e 60.1 miliardë Lekëve, ose 7.2 miliardë Lekë më shumë se 11-mujori i vitit të kaluar.
Sipas Ministrisë së Financave, vetëm përgjatë periudhës Janar-Nëntor të këtij viti të ardhurat nga fondet speciale, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore dhe ISSH u realizuan në masën 146.7 miliardë Lekëve ose 15% më shumë se 11-mujori i 2023, si dhe realizim në masën 101.4% të planit për 11-mujorin 2024.
Klan News