Donald Trump fitoi zgjedhjet në Amerikë duke u bërë presidenti i 47 i SHBA-së. Por ajo që bën përshtypje është fakti që në ekipin e tij ka edhe njeriun më të pasur të botës, Elon Musk. Madje atë e ka vënë në krye të një departamenti që do të merret me eficencën e administratës.

Por kjo përfshirje e Musk, për Anuela Ristanin, është problematike. Ajo theksoi se ndihma që ai i dha Trump nëpërmjet platformës X është e pallogaritshme. Sipas saj influenca e tij është e panjohur dhe kjo duhet të na trembë, pasi një person pa asnjë lloj mandati ka ndikim në një vend si SHBA-ja.

Anuela Ristani: Ndikimi që ai ka pasur dhe ndihma që i ka dhënë Trump-it as nuk matet me shifra. Nuk matet me para, me donacione të regjistruara si kontribute. Është globale dhe është gjithëpërfshirëse.

Blendi Fevziu: Është pozitive apo problematike përfshirja?

Anuela Ristani: Absolutisht që është problematik sepse është e pamatshme. Është e pamatshme, e pallogaritshme dhe e palidhur me logjikën dhe me vijueshmërinë e asaj që është politike apo që është një premtim. Pra një person i pazgjedhur, i pakandiduar, i padeklaruar, fundja as anëtar i partisë.

Blendi Fevziu: Më i pasuri i botës sot, me distancë të madhe nga të tjerët…

Anuela Ristani: Po që mund të na blejë të gjithë Ballkanin praktikisht.

Blendi Fevziu: Ballkanin e ble dhe një me më me pak lekë.

Anuela Ristani: Po ta blejë në terma GDP-je. Jo në terma vendimmarrje. E kam fjalën që të ardhurat e tij e kalojnë GDP-të e shumë vendeve të tjera. Ne nuk po flasim më për diçka që e dimë.

Blendi Fevziu: Ai më duket kalon GDP-në e Rusisë, se ne këtu…

Anuela Ristani: Kalon çfarëdo lloj GDP-je që të dojë, por kjo duhet të na trembë, që kjo nuk është influencë pozitive, kjo është një influencë e panjohur. Është e panjohur dhe e pallogaritshme. Një person pa asnjë lloj tagri, pa asnjë lloj mandati merrka dhe jepka drejtim një vendi si SHBA që pastaj i jep drejtim shumë vendeve të tjera. Është më shumë problem Musk sesa Trump në vetvete./tvklan.al