Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Ish-Kryeministri Fatos Nano dhe Ministri i Informacionit Musa Ulqini kanë qenë të deleguarit e kryesisë në Konferencën e Partisë Socialiste të Kavajës. Pas socialisteve kavajas kanë folur dhe dy antarët e kryesisë. Nano në fjalën e tij ka thënë se korrupsioni po sëmur gjithnjë e më shumë shoqërine tonë. Paratë e shqiptarëve janë të pastra pat thënë Berisha në 96, tha Nano, duke iniciuar dhe nisjen e korrupsionit dhe kontrabandës gjithnjë e në rritje.

Si është e mundur tha Nano që një minister apo politikan apo i afërm i tij shton papritur katet e pallatit, ndërton një vilë apo blen një mercedes të ri. Me ç’para? Ne jemi parti e të drejtës tha Nano ndaj të gjithë duhet të respektojmë drejtësinë e ligjin, përfshi këtu dhe Berishën që për mua duhet të përgjigjet para drejtësisë për veprimet e tij si në 97 ashtu dhe në 98.

Ulqini bëri një paraqitje të punës së Qeverisë Majko. Qeveria Majko tha ai afroi më shumë se kurrë Shqipërinë me Perëndimin dhe institucionet e saj. Kemi bere ç’është e mundur tha Ulqini që të përmiresojmë gjendjen në vend si në rend ashtu dhe në ekonomi. Ju kavajasit, tha Ulqini, keni më shumë prioritet. Autostrada që do kalojë pranë jush si dhe deti janë dy faktorë që do të ndikojnë bindshëm në begatinë e shpejtë tuajën.

Por mes Ulqinit e Nanos ka lindur një shkëndijë zemërimi që u shndërrua në debat kur është përmendur takimi Majko-Berisha. Sipas Ulqinit ky takim nuk kishte veçse ndikime pozitive.

Musa Ulqini, Ministri i Informacionit:- “Ky takim i zotit Majko dhe Meta me Sali Berishën u bë pas masakrës së Raçakut, kur bota demokratike Nato, SHBA, po planifikonin ndërhyrjen në Kosovë, kur Shqipëria kërcenohej seriozisht nga një konflikt i armatosur, nga Millosheviç. Pikërisht në këto momente u gjykua politikisht që të bëhej ky takim. Unë nuk mund të pranoj të spekulohet me këtë takim”.

Ndërsa për Nanon gjithshka është ndryshe.

Fatos Nano:- “Së pari takimi Majko-Berisha, u bë si një takim i kryeministrit me Berishën dhe u bë jashtë gjykimit të PS. E dyta kjo u bë në kohën e masakrës së Raçakut, por është edhe koha kur rreth 2-3 muaj më parë me gjykim dhe dosje të paraqitur në parlament nga qeveria socialiste e kryesuar nga Nano u kërkua heqja e imunitetit të Berishës për tju nënshtruar verifikimeve për ngjarjet e tentativës së dështuar për grusht shteti të 14 Shtatorit 98”.

Pas Konferencës së sotme në Kavajë, ku Nano bëri një debat të drejtpërdrejtë me Ministrin e Informacionit Ulqini, nesër is-kryeministri Nano do të udhetojë drejt Durrësit ku do të ketë përkrah një tjetër mbështetës të Majkos, Zëvendëskryeministrin Ilir Meta./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frngaj