Nuk kishte si të kalonte pa komentuar ndarja e parë historike e Partisë Socialiste. Në mbledhjen e grupit parlamentar kryeministri Fatos Nano e cilësoi largimin e 10 deputetëve:

Fatos Nano: “Ikja e një grupi nuk është ndonjë ngjarje para së cilës mund të mbylllësh sytë as të shtiresh sikur nuk ka ndodhur gjë dhe më në fund as të vëmë kujën tragjike.”

Kryetari i Partisë Socialiste ka komentuar edhe anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Fatos Nano: “Ata që ikën, në fakt, duket se dëshutan në misionin e tyre për të kuptuar programin, moralin, solidaritetin, përgjegjësinë dhe kurajon tonë kolegjiale. Dështuan në përpjekjet për të përballuar së bashku me ne angazhime dhe sakrifica të cilat kërkohen për t’u ulur dhe kuvenduar me çdo qytetar dhe fshatar të Shqipërisë për t’iu dhënë atyre përgjigjet dhe zgjidhjet e munguara.”

Duke dashur të tregojë që Partia Socialiste, ndryshe nga sa është akuzuar prej kundërshtarëve brenda partisë si autoritare dhe refraktare, kryeministri Nano deklaroi se Partia Socialiste nuk është e uzurpuar nga individë.

Fatos Nano: “Partia jonë nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të bëhet kurrë pronë individësh, as pronë e Fatos Nanos dhe me këtë rast më lejoni të them që unë nuk kam hapur akoma ndonjë faqe në internet ‘Fatos Nano on line’. Partia jonë nuk është dhe nuk do të bëhet kurrë ushtria e bindur as e Gramoz Ruçit, as shtëpia e përjetshme e Namik Dokles apo zyra e pensionit të Servet Pëllumbit. U kemi lejuar atyre që duan të ikin derën e hapur dhe prandaj ju urojmë dhe rrugë të mbarë.”

Kryesocialisti Nano ka evituar të flasë për numrin e ardhshëm në parlament, por nuk ka lënë pa përmendur garantimin e mazhorancës në kuvend, duke lënë të kuptohet se dhe një alenacë me reformatorë do të ishte e mirëpritur.

Fatos Nano: “Ne jemi të vendosur që bashkëpunimin parlamentar ta zhvillojmë si reformën themelore të të gjitha reformave dhe prandaj do të jemi të hapur për të gjithë kontributet ngado që vijnë.”

Mbledhja më pas ka vijuar me dyer të mbyllura. Kryetari i Partisë Socialiste ka folur për nevojat e ndryshimeve në selinë rozë ku mësohet të ketë thënë se këto ndryshime nuk duhen parë sikur prekin apo cënojnë individë të veçantë, por si të domsodoshme për të qenë më efikasë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. /tvklan.al