Kryeministri Fatos Nano, i sprovuar tashmë në drejtim, pas eksperiencës së tij të parë në Krutje, punoi për pak minuta tokën e fshatrëve të Zharrzës. I ndjekur nga ministri i Bujqësisë Duka, i Financave Malaj dhe deputetët e zonës Bufi e Çaçi.

Në qarkun e Fierit u promovua kështu projekti për shpërndarjen e karburantit pa akcizë për bujqësinë. Kryeministri pranoi se pas dy vitesh ai mundi të përmbushte premtimin ndaj fermerëve dhe peshkatarëve, jo përmes sloganeve pa bukë, por nëpërmjet politikave të reja dhe realiste të zhvillimit, përmes uljes së kostove dhe rritjes së prodhimeve dhe fitimeve.

Që prej muajit shkurt 2004, sipas tij, mbi 200 anije dhe barka peshkimi kanë përfituar rreth 3 mln litër naftë pa akcizë duke rritur numrin e të punësuarve, duke rritur prodhimin 15%. Nisja e punimit të tokës me karburantin pa akcizë, vijoi kryeministri, është konsideruar nga shoqatat e fermerëve dhe të mekanikës bujqësore si revolucioni i dytë në sektorin agrar pas miratimit dhe zbatimit të ligjit 7501 “Mbi tokën” në vitin ‘91.

Sipas shefit të ekzekutivit, tashmë 63 000 ferma do të kenë mundësi ta blejnë naftën për punimet bujqësore me një çmim prej 52-53 lek për litër nga 95 lek për litër që është blerë deri dje. Projekti pilot shtrihet në Lezhë, Fushë-Krujë, Fier dhe Lushnjë.

Fatos Nano: “Të gjitha serat në vend edhe ato që po ndërtohen tani dhe s’kanë hyrë akoma në shfrytëzim, do të përfitojnë naftë dhe solar pa akcizë. I pafshi hajrin punës dhe djersës suaj!”

Kryeministri Nano shpërndau për fermerër më pas tollonat e parë të karburantit pa akcizë për mjetet e tyre bujqësore./tvklan.al