Kryetari i mazhorancës Fatos Nano u ka treguar derën e partisë atyre që kthejnë kurrizin duke iu referuar deputetëve të Levizjes Socialiste për Integrim.

Fatos Nano: “Sa i takon Partisë Socialiste dhe të ashtuquajturës krizë të saj, më duhet të rinënvizoj se Ilir Meta me problemet e tij, aty ka qenë, aty është, nuk mund të jetë kriza jonë, por është tregues i suksesit tonë përkundrazi, që kemi instaluar përfundimisht vlera dhe standarde progresiste të botës demokratike, moderne ku po integrohemi. Mund të lëvizet lirisht në Partinë Socialiste dhe dera është për të hyrë dhe për të dalë apo jo, për të hyrë prap, kështu kemi dhe statutin. Ka ardhur koha të flasim shqeto me njëri-tjetrin dhe me ata që na kanë votuar dhe na mbështesin. Nuk mundet të fshehim kokën si struci në rërën apo në plehrat që duam të pastrojmë me ndjenjat dhe psikozën e krizave të krijuara artificialisht. E ashtuquajtura krizë duket se ekziston veçse në mendje që s’janë ngopur ende me pushtet të paligjshëm dhe të pamerituar të cilitdo, qoftë dhe ky midis nesh. Më falni për mungesën e modestisë, por besoj që për të gjithë është lajm i mirë që lëvizja “Nano ik!” iku. Lëvizje të tjera ik e eja po lindin. Mjerë ata që do të kandidojnë veç e veç përballë forcës sonë cilido qoftë, brenda apo jashtë nesh.”

I njëjti qëndrim do të reflektohet dhe në koalicionin për integrim ndaj aleatëve që bashkojnë votat me opozitën, tha kryeministri.

Fatos Nano: “Po nuk besoj që mund të tolerohet më që shokë anëtarë të kryesisë të votojnë padashje dhe të krijojnë alibira për një mirëkuptim vote me opozitën. Votat lexohen në tabelë, nuk ka shpjegim vote për anëtarët e kryesisë dhe kjo ka shërbyer për të krijuar iluzionin fiktiv të bjerrjes së mazhorancës. Natyrisht e njëjta gjë mund të thuhet dhe për deputetë të partive pjestare të koalicionit qeverisës, të koalicionit për integrim, madje që s’mund të jetë një koalicion për disintegrim, por ne le të merremi me veten dhe pastaj të shtrëngojmë radhët e koalicionit me të njëjtën përgjegjshmëri.”

Kryeminisri Nano pranoi ekzistencën e problemeve nga konferencat e zhvilluara në rrethe të cilat nuk rigjeneruan strukturat e partisë në kundërshtim me vendimet e kryesisë apo komitetit të përgjithshëm drejtues. Përveç kësaj, organizatat, sipas kryeministrit, gjenerojnë kërkesa për tendera apo vende pune.

Fatos Nano: “Partia socialiste nuk është, as minierë e braktisur dhe e taposur në ndonjë rreth të veriut, dhe aq më pak mund të jetë shtëpia e qylit ku xha Braho tundi dybekun.”

Pas mbledhjes sekretari i përgjithshëm Gramoz Ruçi deklaroi se kryesia adoptoi qëndrimin e kryetarit Fatos Nano ndaj zhvillimeve politike në vend duke nënkuptuar se nuk do të ketë përjashtime të kundërshtarëve brenda partisë. /tvklan.al