Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Një grup përfaqësuesish, të mediave kryesore të vendit, janë takuar me kryeministrin Fatos Nano, duke i kërkuar atij mbështetje politike, për miratimin e ligjit, që ndalon piraterinë televizive. Në këtë takim merrnin pjesë, Drejtori i RTVSH Artur Zheji, Drejtori i Përgjithshëm i TV Klan Aleksandër Frangaj, përfaqësues nga TV Arbëria Artan Sevrani, pronari i kanalit Top Channel Dritan Hoxha, nga Vizion + pronari Genc Dulaku, nga Shijak TV Gëzim Ismaili, i Radio +2 Koço Kokëdhima, si dhe përfaqësues nga komisioni i medias dhe kryetari i KKRT Sefedin Çela.

Kryeministri Nano, jo vetëm ka përkrahur drejtuesit e mediave, në përmirësimin e kuadrit ligjor, por ka garantuar gjithashtu, se si kryetar i qeverisë dhe mazhorancës, ligji që do t’i thotë stop piraterisë televizive, do të miratohet nga Parlamenti. Zoti Nano ka ftuar në këtë proces edhe opozitën, duke dhënë konsensusin e saj në miratimin e këtij ligji shumë të rëndësishëm.

Kryeministri Fatos Nano:- “Kam ndjekur me vëmendje të gjitha përpjekjet serioze, të bëra nga përfaqësuesit e radiove dhe televizioneve të lira, lidhur me parimin e të drejtës së autorit, për marrëdhëniet e shitblerjes së saj dhe për shqetësimin tonë të përbashkët, për luftën kundër fenomenit të piraterisë radiotelevizive, të piraterisë me të drejtën e autorit. Unë besoj, se me miratimin e këtij projektligji, që vjen kryesisht si iniciativë e juaja dhe nuk jam xheloz kur përgëzojë për këtë gjë dhe sidomos me vënien e tij në zbatim, e cila do të jetë kryesisht me iniciativën e shtetit, të administratës dhe të autoriteteve ligjore, të ngarkuara për këtë qëllim, ne do të vëmë më në fund rregulla të standardeve perëndimore, në këtë aspekt tepër të rëndësishëm që nuk është vetëm ekonomik, por që reflekton ndjeshëm dhe në cilësinë e punës së vetë mediave që ju drejtoni”.

Projektligji është konsideruar i një rëndësie jetike për median shqiptare edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i TV Klan Aleksandër Frangaj, sipas të cilit, hapi kryesor është zbatimi i kësaj iniciative ligjore.

Aleksandër Frangaj:- “Jam përfaqësuesi i televizionit, që aktualisht vuan më shumë nga të gjithë, ose që është i vetmi, që sot transmeton 100% të programit të tij të licencuar dhe më i gëzuari nga të gjithë këtu sot jam unë, sigurisht edhe kolegët e tjerë, që më në fund po vjen dita që secili prej nesh ta ushtrojmë biznesin që drejtojmë me rregulla të qarta, me rregulla të plota, ta ushtrojmë biznesin tonë me lëndën e parë, tashmë jo më pirate, por secili prej nesh të përballojë detyrimet për blerjen e programeve, detyrimet për prodhimin e programeve dhe secili prej nesh të konkurrojë në mënyrë të barabartë, në mënyrë të ndershme me njëri-tjetrin”.

Për miratimin e projektligjit që eliminon piraterinë televizive, janë shprehur parimisht dakord të gjithë drejtuesit e mediave shqiptare. Kjo nismë ligjore vlerësohet nga specialistët, si një hap i rëndësishëm, për stabilizimin e tregut të mediave elektronike, i dëmtuar skajshmërisht nga transmetimi i programeve, të pa licencuara.

Ky ligj e heq Shqipërinë nga harta e Europës, si i vetmi vend që transmeton programe pirate, duke plotësuar kështu dhe një nga kushtet kryesore të Bashkimit Europian në procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço