Dritan Hoxha është arrestuar në Tepelenë për llogari të drejtësisë greke. Ai është vënë në pranga pasi ndaj tij u caktua arrest me burg në mungesë sepse dyshohet për vrasje me paramendim të ndodhur në shtetin fqinj.
Ngjarja për të cilën akuzohet Hoxha ka ndodhur më 17 Maj të viti 2010. Në bashkëpunim me një shqiptar tjetër të quajtur Besim Besimaj, i arrestuar në Greqi, ata kanë dhunuar një bashkëpatriot në zonën e Larisës. Si pasojë Andon Veshaj ka ndërruar jetë. Më pas e kanë transportuar trupin e pajetë në një vend tjetër ku është gjetur nga policia ditën tjetër.
“Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 17.05.2010, në zonën e Larisës, Greqi, shtetasi Dritan Hoxha, në bashkëpunim me shtetasin shqiptar Besim Besimaj (arrestuar në shtetin grek), kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit shqiptar Andon Veshaj, i cili si pasojë e dëmtime të marra ka ndërruar jetë. Pas kryerjes së këtyre veprimeve, dy të dyshuarit, e kanë futur trupin e viktimës në mjetin e tij dhe e kanë lëvizur atë në një vend tjetër, të pabanuar, ku është gjetur nga autoritetet policore greke, ditën e nesërme, më datë 18.05.2010”, njoftoi policia.
Në vitin 2017, ministria e Drejtësisë së Shqipërisë i ka përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme kërkesën e homologëve të Larisës si dhe dokumentacionin përkatës për ushtrimin e ndjekjes penale në Shqipëri në ngarkim të Hoxhës. Ai ishte shpallur në kërkim për këtë ngjarje, por ia kishte dalë të arratisej.
5 vite më vonë, në 2022-shin, Prokuroria e Gjirokastrës shpalli moskompetencën në lidhje me procedimin penal të nisur në 2017 dhe ia kaloi aktet Prokurorisë së Tiranës.
Më pas Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë më 9 Korrik 2024 vendosi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në mungesë ndaj Hoxhës. Më pas autoritetet e gjetën dhe arrestuan Hoxhën në lagjen “Hoxhaj” të Levanit në Tepelenë.
“Në vlerësim të provave dhe fakteve të grumbulluar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr 1734 akti, datë 09.07.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, ndaj personit nën hetim Dritan Hoxha, i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, kryer ne bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78-25 të Kodit Penal. Më datë 10.07.2024, shërbimet policore të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në fazën operacionale, në bashkëpunim dhe me shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Tepelenë dhe DVP Gjirokastër, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Dritan Hoxha, në lagjen “Hoxhaj”, Levan, Tepelenë”, njoftoi policia./tvklan.al