“Kënga Magjike” ka nisur edicionin e tij të 10-të, në skenën e Pallatit të Kongreseve. Në natën e pare për spektatorët në sallë, por edhe për mijëra telespektatorë që e kanë ndjekur përmes Televizionit kombëtar Klan, u interpretuan 20 këngët e para në garë, të cilat fillimisht janë prezantuar edhe gjatë spektaklit “E Diela Shqiptare”.
Prezantuesi, njëkohësisht edhe producenti Ardit Gjebrea, ka pritur në skenë mjaft emra të njohur të muzikës sonë. Figura si Anita Take, Nexhmije Pagarusha, Luiza Papa, Pirro Çako apo Aferdita Saraçini, që përgjatë 9 edicioneve të kaluara të këngës magjike kanë mbajtur rolin e presidenteve të jurisë.
20 kënge, prurje origjinale dhe të mirëpritura, u sollën nga këngëtare si Rosela Gjylbeku, Eliza Hoxha, Kastro Ziso, Çiljeta Xhilaga, Yllka Kuqi, Arbër Arapi etj.
Nën skenografinë e veçantë të realizuar nga mjeshtri italian Gaetano Kasteli, Ardit Gjebrea së bashku me Artemisa Ozaj dhe Anis Brahimin pas kuintave do të presin në mbrëmjen e sotme të tjera këngë, që shoqërohen gjatë performancës nga grupi i baletit i koreografit Albi Nako.
Duke pritur kështu natën e së shtunës, finalen e madhe, ku nga 46 këngët në gare njëra do të triumfojë e do të shpallet si kënga fituese e edicionit të 10 të këtij evenimenti të rëndësishëm muzikor në vendin tonë./tvklan.al
Gazetare: Daniela Kostandini