Shkrimtari Ismail Kadare fiton çmimin e parë kombëtar të letërsisë me romanin e fundit të tij, “Darka e Gabuar”.
Ismail Kadare: “Ju faleminderit jurisë, juve dhe lexuesit shqiptar, i cili kam përshtypjen se po rikthehet në atë shijen e tij të mirë”.
Libri bazohet në një ngjarje të vërtet, e cila zhvillohet ne qytetin e lindjes së shkrimtarit në Gjirokastër, një darkë e cila ka mbetur ende e pashpjeguar, ndërsa Kadare jep një version të tij të ngjarjes.
Ylli Pango: “Është bërë tashmë traditë për publikun e gjerë, njerëzit e letrave të mblidhen së bashku në një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit në fushën e librit për të promovuar vlerat më përfaqësuese të artit të shkruar shqiptar, siç janë edicionet e çmimet kombëtare të letërsisë. Përkujdesja ndaj librit dhe krijuesve të tij përbën një ndër obligimet kryesore të dikasterit tonë duke konsideruar librin jo vetëm një ndër vlerat themeltare të kulturës sonë, por dhe si një nga dukuritë që reflekton stadin e emancipimit shpirtëror të shoqërisë shqiptare.”
Çmimet kombëtare të letërsisë për vitin 2008 organizohen nga Ministria e Kulturës me qëllim promovimin e botimeve më të mira dhe me vlerë në letërsinë shqiptare.
Me çmime u nderuan edhe shkrimtarë dhe publicistë të tjerë. Artan Fuga mori çmimin “Gjergj Fishta” me librin “Brirët e dhisë”, poeti dhe shkrimtari Preç Zogaj mori çmimin “Lasgush Poradeci”, John Hodgson u vlerësua me çmimin “Jusuf Vrioni” për kontributin si përkthyes dhe për ndihmesën që ka dhënë në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhët e huaja./tvklan.al