Viti 2024 për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, është viti më i suksesshëm turistik, jo vetëm sepse objektivat e vendosura më herët u realizuan, siç është mikpritja e mbi 10 milionë turistëve, por sepse tashmë Industria e Turizmit po konsolidohet duke u shndërruar në një sektor kyç për rritjen ekonomike të vendit.

Në kushtet kur ky sektor është kthyer në motor zhvillimi për vendin, tashmë objektivat shtrihen në plan afatgjatë, duke paraparë përmes strategjisë së turizmit deri në vitin 2030.

“Është industria më e rëndësishme që ne po ndërtojmë në Shqipëri për sot e për mot. 600 udhërrëfyes, hotelet jo pak por 2000 të tilla të certifikuara për të garantuar një ofertë të diversifikuar”, tha ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.

Në mbyllje të 2024, Ministria e Turizmit zgjodhi të tregonte mirënjohjen duke vlerësuar me çmime operatorë turistikë, hotelierët, agjencitë e udhëtimit, institucionet mediatike, publike dhe private që kanë kontribuar në formimin e traditës turistike në vend. 

“Do të jemi gjithmonë si pararojë dhe jemi mundur gjithmonë të jemi në krye të marketingun jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar”, tha Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar.

“Jam mirënjohës edhe për bashkëpunimin që kemi ndërkohë sepse ka pasur me të vërtetë një përkushtim të jashtëzakonshëm edhe të nëpunësve në terren”, u shpreh sipërmarrësi Altin Prenga.

“TIA ka realizuar më shumë se 10 milionë pasagjerë dhe presim që kjo shifër të rritet në vitin e ardhshëm”, tha Marsida Pallko, administratore e Aeroportit të Tiranës.

Me motivacionin e promovimit të industrisë turistike dhe Shqipërisë së vlerave historike, natyrore dhe kulturore, u vlerësua me certifikatë mirënjohje edhe Televizioni Klan.

“Tv Klan, për promovimin e vazhdueshëm dhe me profesionalizëm të Shqipërisë turistike në hapësirën mbarëkombëtare përgjatë vitin 2024”, deklaroi ministrja Kumbaro.

“Për sa kohë Shqipëria do të pozicionohet si një destinacion kryesor turistik, Televizioni Klan do të vazhdojë të jetë i përkushtuar për ta mbështetur këtë vizion. Do të doja që ashtu si Televizioni Klan, edhe pushteti qendror dhe vendor të bënin më shumë për të rritur standardet e këtij sektori, i cili ka një rol jetik për ekonominë dhe çdo gjë që vjen e mirë për këtë sektor përkthehet në të mirë për çdo qytetar”, u shpreh kryeredaktori i lajmeve të Tv Klan, Fatos Hakorja.

Përkrah zhvillimit turistik, në ndihmë të mirëfunksionimit të këtij sektori në një kohë që Shqipëria tashmë është pjesë e hartës globale turistike, kyçe janë edhe investimet infrastrukturore.

“Ne dorëzojmë vetëm pas 1 jave unazën e madhe të Tiranës. Gjatë vitit 2025 do të dorëzohet tuneli i Murrizit që është totalisht i përfunduar nga ana e konstruksionit. Në vitin 2025 do të dorëzojmë aeroportin e Vlorës”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe zv/Kryeministrja Belinda Balluku.

Synimi i qeverisë shqiptare nuk janë më shifrat, por rritja e shërbimit cilësor, dhe kapërcimi nga turizmit masiv drejt atij elitar.

Tv Klan