Papa Françesku shpalli zyrtarisht Vitin e Shenjtë, Jubileun e 2025 të Krishtlindjes duke hapur portën e shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, një veprim kyç që simbolizon shpresën dhe shpëtimin nga mëkati.

Ati i Shenjtë trokiti disa herë dhe Porta e Madhe e Shenjtë e Bazilikës së Shën Pjetrit u hap. Ai kaloi pragun ndërsa kambanat u dëgjuan në mbarë Romën ndërsa kori brenda bazilikës filloi meshën e Krishtlindjes.

”Vëllezër dhe motra, në Krishtlindjen e Zotit, dritë nga drita dhe shpresë që nuk shuhet, përgatitemi të kalojmë me besim derën e shenjtë. Hapat e rrugëtimit tonë janë hapat e të gjithë Kishës, pelegrinëve në botë dhe dëshmitarëve të paqes”.

Portat e Shenjta, që përfaqësojnë portat e shpëtimit, hapen vetëm gjatë viteve jubilare. Roma ka katër Porta të Shenjta. Pelegrinët që kalojnë nëpër këto porta besohet se sigurojnë faljen e mëkateve të tyre.

Mbi 32 milionë pelegrinë priten në Romë gjatë Jubileut, i cili zgjat deri më 6 janar 2026. Ceremonia mbahet një herë në çdo 25 vjet, në të cilin besimtarët katolikë bëjnë pelegrinazhe në Romë.

Tv Klan