Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Akademiku Tish Daija, kompozitori i shquar shqiptar ka ndërruar jetë sot në moshën 78 vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Tish Daija është një nga themeluesit e konservatorit të Tiranës dhe gjithashtu profesor i kompozicionit në këtë institucion të lartë të arsimit muzikor shqiptar.

Ai është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që prej vitit 1999, si dhe mban titullin e lartë “Artist i Popullit”. Për një kohë të gjatë, ai ka qenë anëtar i forumeve drejtuese të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Krijimtaria artistike e këtij artisti të madh, përfshin të gjitha gjinitë dhe zhanret muzikore, që nga kënga e deri tek veprat e mëdha vokale, nga tablotë muzikore, e deri tek veprat skenike, vepra të muzikës së dhomës dhe ato simfonike.

Tish Daija është krijuesi i baletit të parë shqiptar “Halili dhe Hajria” në vitin 1963. Ai ka shkruar ndër të tjera operetën “Lejlaja”, operën “Pranvera”, baletin “Bijtë e Peshkatarit”, operën “Vjosa” etj./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora