Sekretari për çështje elektorale në PS Kastriot Islami thotë së koha është në limitet e saj për të përgatitur gjithë infrastrukturën për zgjedhjet, duke nisur që prej ngritjes institucionit kryesor përgjegjës KQZ. Një proces që do të përfshijë politikën në emërimin e anëtarëve, menjëherë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga presidenti i republikës.
Kastriot Islami: “Ne besojmë që gjithçka është në limitet kohore, ku me një organizim dhe në mënyrë të veçantë nga ana e qeverisë, sepse detyrat kryesore tani mbeten kryesisht qeverisë, siç është karta e ID, lista e zgjedhësve dhe elementë të tjerë infrastrukturor. Ka hapësirë që të kapet vonesa dhe të garantohen zgjedhje të lira, të ndershme dhe konform të standardeve ndërkombëtare. Natyrisht që duhet pritur përfundimisht hyrja në fuqi e kodit, caktimi i datës së zgjedhjeve nga ana e presidentit dhe në këtë moment parlamenti do të zhvillojë përgjegjësitë e tij për realizuar në kohë ato detyrime që përcakton kodi. Dhe një nga detyrimet e para natyrisht lidhet me ngritjen e KQZ-së.”
Sipas formulës së përcaktuar në kodin e ri zgjedhor 4 anëtar të KQZ-së i takojnë dy partive të mëdha, PD dhe PS respektivisht nga dy anëtar secilës. Anëtari i 5 dhe 6 sipas së njëjtës formulë zgjidhet nga grupimet parlamentare të majta e të djathta. Më qartë fiton ajo parti e majtë ose e djathtë që garanton mbështetje me firma të partisë më të madhe sipas spektrit politik që përfaqëson.
Nga ky proces përzgjedhjeje që sigurisht nënkupton dhe negocimin, socialistët duket se nuk përjashtojnë asnjë forcë të majtë. Madje as LSI-në pavarësisht kontradiktave të hershme sidomos në çështjen e administrimit të zgjedhjeve.
Kastriot Islami: “Do të zbatohet pra jo vetëm teknikisht, por dhe politikisht në mënyrë që të ketë një konsensus sa më të gjerë jo vetëm midis forcave parlamentare, por të gjithë forcave në mënyrë të veçantë atyre të majta. Unë besoj që LSI është forcë e majtë dhe e thash që të gjitha forcat e majta, nuk bëra as përjashtim as stigmatizim të veçantë për ndonjë forcë të veçantë.”
Islami thotë gjithashtu se PS nuk vë asnjë kusht për partitë në opozitë për bashkëpunim, pasi siç theksoi qëllimi final është maksimalizimi in fitores në zgjedhjet e qershorit 2009./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi