Çmimi i madh i Letërsisë për vitin 2009, një çmim jo i përvitshëm, i është akorduar nga Ministria e Kulturës shkrimtarit Agron Tufa, për romanin e tij “Thembra e Akcilit”.  

Agron Tufa: “Jam një autor me 12 libra origjinale proze, poezie, ese dhe ndjehem më në fund i shpërblyer për atë lloj kontributi, përpjekje dhe dashurie në radhë ta parë, tek e cila ndodh nganjëherë dhe kthehen sytë.”

Mes 10-të çmimeve më prestigjoze të letërsisë, atë për prozën e gjatë më të mirë të vitit, që mban emrin e romancierit Petro Marko, e mori shkrimtari Ben Blushi, si bashkudhëtar i suksesshëm i 2009-ës me “Otello-Arapi i Vlorës” dhe një ndër romanet më të shitur të vitit që shkoi.

Ben Blushi: “Otello është një libër që më ka mbajtur gjallë për 3-4 muaj që e kam shkruar edhe vazhdon të më japë emocione sa herë që takoj njerëz që e kanë pëlqyer, apo kanë gjetur tek ai pak nga vetja, apo pak nga dikush, i cili në trotuare dhe në rrugët e shoqërisë sonë gjendet përditë. Njëri më ngjyrë, sepse në fakt ky është një libër kundër racizmit, kundër paragjykimeve, kundër të ndryshmes, kundër  varfërisë. Një libër, i cili shpresoj t’i japë pak emocion gjithkujt që e shfleton. Më vjen mirë që me Ministrinë e Kulturës kutitë u hapën dhe fleta ime e votimit ishte pa vrimë. Faleminderit.”

Çmimi “Gjergj Fishta” shkoi për studiuesin Ardian Vehbiu. Çmimi “Faik Konica” për kritikën e meritoi akademikja Floresha Dado, me veprën mbi “Historiografinë Shqiptare”.

Afrim Koçi, përkthyesi i njohur i kryeveprës “Mali magjik” i Tomas Manit, u nderua më çmimin “Fan Noli” për përcjelljen e veprave të mëdha në shqip.

Çmimi “Mitrush Kuteli” për prozën më të mirë të shkurtër e mori Romeo Çollaku me tregimet “Shtegtarët e pak metrave katror”.

Poeti i njohur Vilson Blloshmi, një nga martirët e diktaturës, u nderua më çmimin “Lasgush Poradeci” për figuracionin e pasur letrar në botimin e plotë të poezisë së tij.

Përkthyesi Edmond Tupja u nderua me çmimin “Jusuf Vrioni” për përhapjen e kulturës shqiptare në botë.

Pas dy vitesh mungesë, një çmim “At Donat Kurti” për letërsinë shqipe për fëmijë shkoi posaçërisht për veprën dyvellimëshe të Virgjil Muçit, “101 përralla shqiptare”.

Ndërsa çmimi “Migjeni” për prurjet dhe modelet e reja letrare iu dha autores së re Eir Plasari për romanin “Bërthama”.

Çmimet Kombëtare të Letërsisë vijnë në këtë fillim viti pas një sërë veprash të arrira të botuara në 2009-ën, mes të cilave edhe romanet “ E penguara” dhe “Aksidenti” të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare.

Mark Marku: “Për shkak se autorët e disa romaneve më të mira kanë qenë fitues të çmimeve më të larta që kjo juri ka shpallur në vitet e mëparshme, disa romane vërtetë të nivelit të lartë pavarësisht se janë në shqyrtim, nuk janë përfshirë në procesin e dhënies së çmimeve. Produkti letrar i këtij viti tregon se letërsia shqipe po shkëputet nga klishetë dhe skematizmi i sistemit socialist.”

Nëse pikërisht veprat e përkthyera janë ato që mbushin stendat sot në libraritë tona, Çmimet Kombëtare të Letërsisë, bashkë me vlerat e tyre simbolike, janë një shtysë më shumë për autorët tanë dhe letrat shqipe për të qenë sa më pranë lexuesit./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani