Të kalosh në këtë rrugë është gati mision i pamundur. Që prej muajit Mars të 2008, kur në rrugën “Murat Toptani” gjatë punimeve për rikonstruktimin e këtij segmenti u zbuluan rrënojat e Kalasë së vjetër të Tiranës, fati i saj është në udhëkryq.
Fare pranë Kuvendit të Shqipërisë, pak metra larg selisë së Partisë Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës, ky segment është bërë tmerri i kalimtarëve, mes të cilëve dhe vetë ligjvënësve që i drejtohen parlamentit, por dhe stresi i drejtuesve të automjeteve.
E parashikuar të ishte pjesë e Unazës së Madhe të kryeqytetit, aktualisht rruga “Murat Toptani” është bërë shkak dhe për një trafik të rënduar në akset kryesore të kryeqytetit.
Për arsye se është kthyer në një zonë arkiologjike nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, zgjidhja për specialistët e bashkisë dhe Ministrisë së Kulturës është tejzgjatur.
Ne u intersuam në të dyja këto institucione për të mësuar se kur taksapaguesit do të kenë mundësi të shkelin në asfalt dhe jo të ecin në këtë rrugë me pengesa, gropa e baltë.
Përgjigja për hir të së vërtetës është e njëjtë, pavarësisht se institucionet i përkasin 2 pushteteve që prej kohesh janë në luftë të hapur me njëra-tjetrën.
Projekti është gati dhe punimet do të nisin së shpejti. Se me çfarë njësie matëse e masin kohën drejtuesit lokalë dhe ata qendrorë, kjo mbetet për t’u parë.
Ndërkohë që aktualisht ajo që iu mbetet të bëjne qytetarëve është vetëm të presin, duke shpresuar se në zyrat e bashkisë dhe Ministrisë së Kulturës projekti të mos jetë shënuar në kalendat greke.
Tv Klan