Cilësia e dobët e punimeve është bërë shkak për pezullimin e ndërtimit të segmentit rrugor Kolsh-Ura e Drinit të Zi pjesë e korridorit Durrës-Kukës. Pas një kontrolli të ushtruar nga supervizori italian ka rezultuar që çimentoja e përdorur ka qenë jashtë standardeve të kërkuara.

Kompania shqiptare e kontraktuar për ndërtimin e kësaj rruge e ka blerë çimenton me çmim të lirë nga Maqedonia. Kjo çimento është përdorur në segmentet e betonimit dhe te anësoret e rrugës, punimet e ndërprerë edhe në 3 ura të këtij segmenti, ku ishin duke u ndërtuar 16 këmbët e tyre. Ky segment është i gjatë 5km dhe është i financuar nga shteti kuvaitjan me rreth 50 milion dollarë.

Pak km më tutje në afërsi të tuneli të Kalimashit është testuar edhe hedhja e parë e asfaltit. Specialist të firmës Bechtel-Enka kanë mbajtur premtimin se në vjeshtë do të nisin asfaltimin në të gjithë korridorin që sipas projektit duhet të përfundojë në vitin 2009.

Deri tani kanë përfunduar 7 ura, ndërkohë që janë ndërtuar bazamentet dhe këmbët mbajtëse dhe për 15 ura të tjera. Këto ditë ka filluar vendosja e trarëve në urën më kryesore në këtë aks 80m të lartë./tvklan.al