Edhe 10 metra e ndajnë Shqipërinë nga Kosova. Tuneli që fillon në Thirrë e përfundon në Kalimash pas 10 metra do të bashkohet me anën tjetër. Sondat që punojnë në dy krahët e tij janë bashkuar në mesditë, çka sipas drejtuesve të punimeve, do të thotë se tuneli do të hapet brenda dy ditësh.
Kështu, vepra më e rëndësishme dhe më e vështira për nga ana inxhinierike e rrugës Durrës- Kukës është drejt fundit. Tuneli i dyfishtë, më shumë se 5 km i gjysmë i gjatë, ndër më të mëdhenjtë në rajonin e Ballkanit, pas pak orësh do të shohë dritë në fundit e tij.
Ajo që nisi si një ide në vitin 1996 tashmë është bërë konkrete. Një tjetër ëndërr e shqiptareve realizohet! Kosova dhe Shqipëria, janë më pranë në sajë të këtij korridori që nis në portin e Durrësit e do të përfundojë në Prishtinë. Rruga do të lidhë më lehtë Shqipërinë me rajonin dhe do t’i japë më shumë rëndësi strategjike vendit tonë në Ballkan. Ajo po u ndryshon jetën edhe shqiptarëve që jetojnë përgjatë saj.
Është ndërtuar në një trajektore krejtësisht të re, pas rreth 28 muajsh që nga nisja e punimeve, përfundimi i saj po pritet me ankth, nga kompanitë ndërtuese, por edhe nga porositësit e saj, qeveria shqiptare.
3500 vetë, 1200 makineri nga më modernet po punojnë në këtë vepër të jashtëzakonshme, kantierin më të madh ndërtues që ka njohur ndonjë herë vendi ynë.
Edhe 10 metra dhe në fund të këtij tuneli do të ketë dritë./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe