Binjakët siamezë më të vjetër në botë, Lori dhe George Schappell, kanë ndërruar jetë në moshën 62-vjeçare.

Siç shkruhet në mediat e huaja, ata ndërruan jetë më 7 prill në Spitalin e Universitetit të Pensilvanisë, ndërsa ende nuk dihet shkaku i vdekjes.

Binjakët Schappell shkuan përtej çdo parashikimi mjekësor që përcaktonte se ata nuk do të jetonin më shumë se 30 vjeç dhe ia dolën të jetonin mëse normalisht.

Që prej vitit 2022, ata u cilësuan si binjakët e bashkuar më të vjetër në botë. Një tjetër fakt i pazakontë për ta është se nga binjakë të të njëjtit seks, njëri prej tyre u identifikua si transgjinor në vitin 2007.

Pavarësisht se jetën e tyre e kaluan të ngjitur, kjo nuk i pengoi binjakët Schappell që të arrinin sukses dhe të ndërtonin karrierë. George gëzoi një karrierë të suksesshme si këngëtar i muzikës “country”, ndërsa Lori korrte fitore në fushën e bowling.

Binjakët më të famshëm në botë janë shfaqur po ashtu edhe në dokumentare të shumtë ku kanë folur mbi jetën e tyre. Ata jetonin në një apartament me dy dhoma gjumi në Pensilvani dhe ishin në gjendje të praktikonin hobit që preferonte secili, pa asnjë lloj pengese. Kur u pyetën nëse dëshironin të ndaheshin në një dokumentar të vitit 1997, George tha: “Absolutisht jo. Teoria ime është: pse të rregullojmë atë që nuk është prishur?”

Lori dhe George Schappell kanë lindur në vitin 1961 në Pensilvani me kafka pjesërisht të shkrira dhe enë të përbashkëta vitale të gjakut. Ata kanë lënë pas babain e tyre, 6 vëllezërit e motrat, disa mbesa e nipër, dhe një rreth të gjerë shoqëror./tvklan.al