Ish-presidenti Donald J. Trump dhe nënpresidentja Kamala Harris në orët e fundit të fushatës i kanë përqendruar energjitë e tyre në Pensilvani. Një shtet që të dy kandidatët e shohin si kritik dhe përcaktues për fituesin e Shtëpisë së Bardhë pasi ka 19 vota elektorale.
Ish-Presidenti Donald J. Trump me herët mbajti një fjalim 90-minutësh të mbushur me ankesa në Karolinën e Veriut. Ai u tall me pyetjet rreth moshës dhe mprehtësisë së tij mendore dhe u kërkoi mbështetësve të qëndrojnë të fortë, duke thënë: Ky do të jetë momenti ynë i fundit. Pas Karolinës së Veriut, zoti Trump vijon takimet në Pensilvani dhe përmbyll fushatën në Miçigan.
Zonja Harris po përqendron të gjithë energjinë e saj në Pensilvani. Ajo ka katër takime, dhe shoqërohet nga personazhe të famshëm, duke përfshirë Katy Perry, Lady Gaga dhe Oprah Winfrey, dhe do ta përfundojë axhendën e saj në Filadelfia.
Gara presidenciale sipas sondazheve paraqitet e ngushtë. Fushata e trazuar e vitit 2024 në të cilën presidenti demokrat në detyrë u tërhoq disa javë përpara konventës së emërimit të partisë së tij dhe kandidati republikan u mbijetoi dy tentativave për vrasje, po përfundon në një atmosferë pasigurie ekstreme, me një elektorat thellësisht të ndarë.
Sondazhi i fundit i New York Times në Pensilvani, i publikuar të dielën, e gjeti garën të barabartë, me të dy kandidatët që morën mbështetje nga 48 përqind e votuesve të mundshëm.
Kujtojme se kanë kaluar 720 ditë që kur zoti Trump njoftoi se do të kandidojë sërish, 106 ditë që kur zoti Biden përfundoi fushatën e tij dhe 91 ditë që kur zonja Harris siguroi nominimin demokrat.
Klan News