Mëngjesi i së dielës do të shënojë fundin e një lufte të përgjakshme që zgjati për më shumë se 15 muaj në Gaza dhe që u ka marrë jetën më shumë se 46 mijë njerëzve.
Qeveria e Izraelit i dha dritën jeshile marrëveshjes me Hamasin që parashikon një plan në tre faza të shtrirë në 6 javë. Megjithatë bombardimet izraelite kanë vijuar deri orët e fundit duke shkaktuar 119 viktima që nga e mërkura kur Hamasi pranoi draftin pas negociatave të zhvilluara me ndërmjetësimin e Katarit dhe Shteteve të Bashkuara.
33 nga 98 pengjet e mbetura izraelite, duke përfshirë gra, fëmijë, burra mbi 50 vjeç dhe robër të sëmurë e të plagosur, do të lirohen në fazën e parë. Në këmbim, Izraeli do të lërë të lirë pothuajse 2000 palestinezë nga burgjet e tij. 4 mijë kamionë me ndihma janë gati të hyjnë në territorin palestinez.
Marrëveshja nuk ka qenë e lehtë për Benjamin Netanjahun për shkak të kundërshtive nga radikalët e djathtë në kabinetin e tij. 8 nga 24 ministrat votuan kundër saj duke kërkuar vijimin e luftës deri në shfarosjen e Hamasit.
Tel Avivi filloi sulmin ndaj Hamasit në Gaza pasi luftëtarët e këtij grupi hynë në Izrael më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë 250 pengje. Kundërpërgjigja izraelite ishte e ashpër duke sjellë shkatërrime të rënda, mijëra viktima e të plagosur si dhe mbi 2 milionë të evakuuar. Konflikti u shtri deri në Liban dhe Jemen ku Izraeli goditi grupimet e Hezbollahut dhe Huthit të mbështetura nga Irani.
Tv Klan