Ka ndërruar jetë të hënën, ish-kryetari i Akademisë së Shkencave Gudar Beqiraj. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi Presidenti Ilir Meta, i cili ngushëlloi familjen e Beqirajt.
“Unë humba sot një mik të vjetër, me të cilin, për më shumë se tre dekada kam bashkëpunuar duke zbuluar tek ai një zemër të madhe, një karakter të fortë, një mençuri largpamëse dhe një kurajë për të marrë vendimet e duhura, gjithmonë në të mirë dhe në dobi të shkencës, të sportit dhe të të mirës së përgjithshme”, shkruante Meta.
Gudar Beqiraj, mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës. Ai u specializua në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës në Fontainbleau, Francë si dhe në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë në Universitetin Paris VI, Francë. Në 1992 ka kryer punë shkencore pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë, Itali.
Në vitin 1994 mori titullin “Profesor”, dhënë nga Këshilli i Lartë i Atestimit të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë. Në vitin 2003 iu akordua titulli “Akademik”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në 2012 u bëanëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve.
Përveç kontributeve në fushën shkencore, Beqiraj ka kontribute edhe në aktivitete e fusha shoqërore./tvklan.al