Policia sekuestron telefonat e të plagosurve
Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tirane, Andi Maloku, shoferi i prokurorit Arjan Ndoja.
Ai nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve të marra nga plumbat e kallashnikovit në atentatin e të premtes së 1 Nëntorit, në autostradën Durrës-Tiranë.
Ai mori dy plumba, një në gjoks dhe tjetri në shtyllën kurrizore.
24-vjeçari drejtonte makinën tip Mercedes Benz, AA 333 ZD, e cila u qëllua me breshëri automatiku në afërsi të mbikalimit të Shkozetit.
Laboratori i Policisë Shkencore, që po analizon armët dhe sendet e gjetura në makinën që u përdor në atentat, ka zbuluar se njëra nga armët nuk arriti të qëllonte të gjithë plumbat. Mekanizmi është bllokuar gjatë qitjes.
Hetuesit shpresojnë të marrin të dhëna të rëndësishme nga telefonat e prokurorit Ndoja, të Pëllumb Muharremit dhe viktimës Andi Maloku, të cilat po i nënshtrohen një kontrolli të imtësishëm.
I arrestuari i vetëm, Redjan Rraja, i cilësuar si personi kryesor në grupin e atentatorëve, nuk ka pranuar pjesëmarrjen në ngjarje dhe ka hedhur poshtë çdo lidhje të tij me atentatin. Por Gjykata e Krimeve të Rënda e la në burg, pasi prokuroria paraqiti si prova shenjat e gishtërinjve që ai kishtë lënë në një palë syze të gjetura në makinën që u përdor në atentat.
Tv Klan