Tuneli Thirre-Kalimash është drejt përfundimit dhe tashme distanca mes Shqipërisë dhe Kosovës do te jete disa ore me afër. Ministri Sokol Olldashi ka inspektuar këtë vepër madhështore i shoqëruar nga gazetare dhe drejtues mediash.

Sipas ministrit tuneli pritet te përfundojë brenda afateve te parashikuara.

Sokol Olldashi: “Fare pak metra nga takimi i të dy portave të tunelit, gjë që do të thotë që brenda fundit të kësaj jave. Punëtorët nga njëra anë dhe nga ana tjetër do të kenë mundësi t’i japin dorën njëri-tjetrit dhe do të thotë që mbërrijmë në një nga pikat më kulminante të këtij projekti, pra në hapjen e tunelit prej 5.6 kilometrash. Po punohet me intensitet të lartë në çdo segment të kësaj rruge për të bërë të mundur atë që është objektivi parësor, pra hapjen e saj, bërjen e rrugës së kalueshme përpara fundit të Qershorit.”

Ndërkohë edhe inxhinieret mbikëqyrës te kësaj vepre gjigande deklarojnë se punimet po ecin me shpejtësi.

Ibrahim Karaç: “Ka qenë një terren i vështirë, sidomos në kilometrin e dhjetë të seksionit të parë. Ne po punojmë në të dy tunelet. Pesë-gjashtë metrat e fundit janë të vështira pasi dhe terreni është shumë i vështirë dhe për këtë arsye kemi pak njerëz që punojnë në tunel. Para pak ditësh bëmë një provë nëse të dyja anët janë në drejtimin e duhur dhe rezultatet ishin pozitive”.

Mike Swimford: “Ne brenda 25 Qershorit do të përfundojmë dhe do të bëjmë të mundur që të lëvizet në një nga krahët e rrugës dhe me shumë siguri do të hapim dhe krahun tjetër në muajin Shtator”.

Tuneli Thirre-Kalimash është vizituar edhe nga Robert Aderholt, kongresmen amerikan, i cili është shoqëruar nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Sipas Aderholt kjo është një vepër shume e rëndësishme që kontribuon jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për te gjithë rajonin.

Robert Aderholt: “Është mbresëlënëse. Këtë projekt nuk e kemi parë asgjëkundi tjetër, në asnjë vend tjetër, as në Shtetet e Bashkuara. Në qytetin tim të lindjes, në Alabama kemi një projekt të ngjashëm të infrastrukturës. Ky projekt është një tregues i nivelit që Shqipëria ka arritur deri më tani. Progresi që po bën, hyrja në NATO po e ndryshon dhe po e bën Shqipërinë një pjesë të ekonomisë botërore. Shqipëria është një nga ato vende që mund të konsiderohet si një gur i çmuar i fshehur në ekonominë botërore dhe Shtetet e Bashkuara mezi presin të punojnë me zyrtarët shqiptarë për ta bërë këtë një vend akoma më të mirë për të jetuar, ku mund të rrisësh familjen, të kesh një punë dhe të mbështetësh fëmijët dhe brezat e ardhshëm”.

Fatmir Mediu: “Është një korridor me përmasa më të mëdha se përmasat shqiptare që krijon një shans të jashtëzakonshëm për të gjithë shqiptarët, pra bashkon, dmth, historinë, kulturën dhe vlerën dhe tregun që duhet të krijojnë shqiptarët dhe padyshim është realizimi i qëllimit të madh që kryeministri Berisha vendosi që në fillim të qeverisë së tij dhe do inaugurohet para mbarimit të këtij mandati”.

Ndërkohë Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, ka inspektuar nga afër rrugën Rrëshen-Kalimash për respektimin e kushteve mjedisore, te cilat sipas tij janë brenda te gjitha standardeve.

Lufter Xhuveli: “Gjatë vizitës së sotme të inspektimit unë do të doja që të shpreh kënaqësinë time për atë çka konstatova që kriteret mjedisore, të cilat janë vendosur në lejen e mjedisit që ne kemi lëshuar janë duke u zbatuar me rigorozitet dhe ekipi i inxhinierëve të mjedisit që po punon pranë kompanisë Bechtel-Enka është duke punuar dhe duke i ndjekur ato me shumë seriozitet, qoftë kur është fjala për tarracat në anët e rrugëve, kështu për landfillet ku janë depozituar mbetjet e ngurta dhe shumë procese të tjera”.

Rruga Rrëshen-Kalimash, punimet e së cilës po ecin me ritme te shpejta, është drejt përfundimit, dhe sipas afateve te parashikuara. Nga 29 ura 25 te tilla kane përfunduar, 2 priten te përfundojnë gjate javës qe vjen dhe 2 te tjera do te jenë funksionale brenda pak kohesh.

Ne luginën e lumit Fan ku është dhe seksioni i pare i kësaj rruge është ndërtuar muri mbajtës me i madhi ne bote plot 38 metra i larte.

Gjatë kësaj gjatësie të rrugës karpatet e shumta janë të izoluara me rrjeta teli, të cilat po përforcohen me një masë betoni që nuk lejon rënien e materialeve në rrugë në asnjë stinë të vitit.

Segmenti Rrëshen-Kalimash është i gjate rreth 61 kilometra dhe do te shkurtoje rrugën drejt Kukësit me plot 109 kilometra./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle