Kompanitë shqiptare të ndërtimit thonë se rritja galopante e çmimeve të karburantit dhe materialeve të ndërtimit po i çon drejt falimentimit të sigurt.
Për këtë arsye ndërtuesit kërkojnë rishikim të kontratave të lidhura me shtetin shqiptar përsa i përket infrastrukturës rrugore.
Një situatë e tillë e vë në rrezik ecurinë e punimeve në veprat publike që këtë vit gjenden në bumin e tyre.
Shkëlqim Bumçi: “Kjo rritje kaq e madhe çmimesh medoemos duhet të vërë në lëvizje qeverinë sepse brenda rritjes së çmimeve brenda kontratës presupozojnë rritjen e çmimeve në kuadër të përqindjes të inflacionit, por kur çmimi rritet 110%, siç është rasti i hekurit, është e pamundur. O kemi thënë më të vogël këtu që s’është në gjendje firma të plotësojë detyrimet kontraktuale dhe më e madhja është që firma të falimentojë.”
Vëllimi i punimeve të kontraktuara me shtetin shqiptar nga ndërtuesit vendas kap vlerën e disa qindra milion eurove, prandaj ata i kërkojnë me ngulm qeverisë të indeksojë rritjen e çmimeve në këtë sektor.
Shoqata e Ndërtuesve me anë të një letre drejtuar Ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashit, lë si afat 5 Korrikun.
Pas kësaj date punimet në infrastrukturën rrugore do të pezullohen. Ndërkaq burime nga kjo ministri thanë për TV Klan se megjithëse bëhet fjalë për një krizë globale të çmimeve kontratat e nënshkruara me ndërtuesit janë të ligjshme, e si të tilla duhet të respektohen./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro