Na ndajnë vetëm dy ditë nga ndeshja e Shqipërisë me Italinë, frika dhe emocionet për këtë sfidë janë të pashmangshme. Çdo gjë duket se është gati për të pritur nesër ndeshjen mes Gjermanisë dhe Skocisë që do të çelë dhe Kampionatin Europian 2024.

Ndeshjen e parë Shqipëria do ta ketë me Italinë ditën e shtunë. Jo vetëm se është ndeshja e parë por edhe fakti që Kombëtarja jonë do të jetë përballë një skuadre të fortë që doli kampione në Europianin e kaluar është përfolur shumë.

Në një intervistë për Klan News, presidenti i FSHF Armand Duka nuk arrit do të shihte emocionet para ndeshjes. “Kam vërtet shumë ethe… mbrëmë nuk kam fjetur”, është shprehur ai. Teksa gjatë fjalës së tij shprehu mbështetjen për skundrën kuqezi. Ai tha se uron që Shqipëria të kalojë fazën e grupeve, megjithëse luan kundër tre skuadrave të forta që synojnë të fitojnë titullin Kampion.

“Kam vërtet shumë ethe, kam vërtet shumë emocione. Rrallë herë unë nuk fle, mbrëmë nuk kam fjetur.  Kam thënë në disa intervista në Itali që unë uroj ta fitojmë ndeshjen me Italinë. Dhe uroj që të dy bashkë ta kalojmë grupin dhe pse jo Italia ta fitojë Europianin, por vetëm për 90 minuta jam kundër Italisë. Nuk shikoj dallime, të treja janë skuadra shumë të mira. Të treja janë skuadrat më të mira të Europës vijnë në këtë kompeticion për ta fituar Europianin. Ne mbase jemi të kënaqur të kalojmë grupin ose të qëndrojmë sa më gjatë. Objektivi i tyre, i të treja skuadrave është për ta fituar Europianin dhe nuk është çudi që një nga të treja ta fitojë Europianin, pra nuk mund t’i dalloj. Por ajo që dua të përsëris është që në ndeshjen e radhës ne kemi Italinë, jo për ta veçuar nga pikëpamja kualitative apo sportive, por është ndeshja e radhës dhe duke qenë se është ndeshja e radhës unë duhet të mendoj vetëm Italinë dhe futbollistët e Italisë,” tha Duka.

Presidenti i FSHF  tha se ai, trajneri Sylvinho dhe të gjithë futbollistët e Kombëtares janë të fokusuar për sfidën me Italinë. Duka falënderoi gjerësisht edhe tifozët kuqezi. “Janë ata që na ndihmojnë të bëjmë sukses,” u shpreh ai. Ndërkaq më shumë se 50 mijë tifozë shqiptarë kanë prerë biletat për të qenë në stadiumin ‘Signal Iduna Park’ për të parë nga afër ndeshjen e parë.

 “Sylvinho, unë dhe të gjithë ne jemi të përqendruar tek Italia. I ftoj të gjithë që të përqendrohemi vërtet me gjithë energjitë tona positive për të bërë mirë me Italinë, pastaj ditë më të mira do vijnë nëse do të fitojmë ndaj Italisë. Unë nuk besoj se ka shqiptar që nuk do ta ndjekë skuadrën në Kampionatin Europina, nuk besoj që ka shqiptar që është bërë krenar nga ky rezultat i Kombëtares apo nga pjesëmarrja në Kampionatin Europian dhe për këtë unë dua që t’i falenderoj të gjithë sepse në fund të fundit është edhe ky një komponent që na ndihmon të bëjmë sukses.

Le të jemi të gjithë të bashkuar dhe me energji pozitive rreth këtij ekipi. Kryesorja janë puna, impenjimi, balancat personale që janë shumë të rëndësishme në një kompeticion apo në një ndeshje të tillë, por edhe fati është i rëndësishëm. Se në milimetra, shtyllë jashtë shtyllë brenda, bëhesh mbret, kështu që duhet edhe fat pa dyshim është një nga komponentët. Por dhe fati ndihmon më të mirët kështu që duhet të punosh që fati të të ndihmojë,” përfundoi Armand Duka.

Shqipëria do të marrë pjesë në Kampionatin Europian për herë të dytë. Në vitin 2016 ajo u kualifikua të bëhej pjesë e Kampionatit Europian i cili u mbajt në Francë. Ndërkaq për të gjithë tifozët televizioni Klan do të transmetojë ekskluzivisht dhe falas të gjitha ndeshjet, duke përcjellë nga ekrani çdo emocion.

/tvklan.al