Yjet e Real Madrid janë errësuar në Tiranë. Stadiumi “Qemal Stafa” ka rënë në një terr të plotë pak përpara nisjes së pjesës së dytë të miqësores Gramozi-Real Madrid.

Ky incident i ka hequr shkëlqimin kësaj ndeshjeje spektakli dhe bamirësie në një mënyrë që askush nuk e kishte parashikuar.

Erion Todhe: “Është ora 8 pa 10 dhe duhet të ishte fundi i pjesës së dytë të ndeshjes Gramozi-Rela Madrid, por siç e shihni nuk ka drita. Defekti qëndron vetëm pjesërisht në shtyllat që ndriçojnë fushën e blertë të stadiumit “Qemal Stafa”. Është lajmëruar që do të vijnë për pak minuta. Shpresojmë që të shohim një pjesë të dytë normale.”

Kullat e ndriçimit të stadiumit të vetëm kombëtar në vend janë shuar dhe është dashur rreth 1 orë gjysmë që tifozët dhe lojtarët të shihnin njëri-tjetrin.

Ndërkaq gazetarët spanjollë të shumtë në stadium bënin lidhje direkte telefonike dhe raportonin nga fusha e errët e një stadium që nisi të boshatisej.

Defekti u shkaktua në rrjetin e brendshëm, sqaron Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Stadiumi çuditërisht nuk ka patur gjenerator.

OSSH më pas ka sjellë një transformator me të cilin ka zëvendësuar atë që u dogj, ndërsa Ministria e Energjetikës ia ka veshur këtë përgjegjësi drejtorisë së stadiumit “Qemal Stafa”.

Me shumë sportivitet e ka marrë këtë ngjarje presidenti i Real Madrid, Floretino Perez që e ka anashkaluar duke thënë se kjo është një festë, shkruan gazeta ABC.

Në emisionin Opinion, Ministri i Sporteve, Ferdinand Xhaferri tregon se futbollistët e Real u treguan fisnik duke pritur më shumë nga ç’e lejon rregullorja e FIFA-s.

Blendi Fevziu: “Cili ishte komportimi i drejtuesve të Realit të Madridit që ishin pranë jush në tribunë?”

Ferdinand Xhaferri: “Unë do të thoja që ata e pritën shumë më qetësisht se ne. Presidenti i Realit të Madridit reagoi në mënyrë shumë fisnike. Më thua mua disa herë që këto janë ngjarje që ndodhin. I kishte qëlluar kohë më parë për më shumë se 15 minuta në një ndeshje më duket me ekipin e Valencias. Rregullorja e FIFA-s i përcakton si ngjarje që mund të ndodhin dhe parashikon deri në 45 minuta. Nuk ka rëndësi kjo 45-50 apo 55 minuta. E rëndësishme është fakti që mënyra e reagimit dhe koha që mori riparimi i transformatorit apo mungesa e gjeneratorit tregojnë për përgjegjësi që janë kryesisht në OSSH, por njëkohësisht administrata e stadiumit nuk duhet të pranonte zhvillimin e kësaj ndeshje pa marrë garancinë. Zyrtarisht OSSH-ja ka ngritur dy grupe pune për ta administruar dhe përgjegjësitë që do më nxjerrë OSSH-ja apo përgjegjësitë që do nxjerrë prokuroria dhe policia lidhur me investigimin e ngjarjes me reagimin e OSSH-së është tjetër gjë. Unë si Ministër i Kulturës për atë përgjegjësi që kishte drejtori i stadiumit që ka pranuar të zhvillohej aktiviteti pa marrë garancitë që sot komunikova me anëtarët e bordit që nesër të shkarkohet.”

Për tu kthyer te ndeshja Real Madrid e ka fituar duke mundur Gramozin me rezultatin 2-1 me golat e Kaka dhe Benzema.

Madrilenët kanë ngritur trofeun Taçi Oil, ndërsa kapiteni Raul Gonzales, Blanko, e ka ngritur i vetëm kupën. Por shiheni se cila është shprehja që ka në fytyrë kapiteni i Galatikëve.

Dëshira e tij është të largohet sa më shpejt dhe trofeun e tretë Taçi Oil e merr me vete, vetëm, ndoshta, për forcën e zakonit.

A do të ketë një edicion të katërt Taçi Oil? Cili do të jetë ekipi i ardhshëm që do të vijë dhe sa do të merret kjo ngjarje në konsideratë?

Mediat spanjolle janë treguar ironike ndaj kësaj ngjarjeje. Titulli i njërës nga gazetat më të mëdha sportive AS është: “Guti dhe Benzema shkëlqejnë në gjysmë dritë”.

Vizita e Real Madrid në Tiranë u shënua nga një blackout që la në errësirë kryeqytetin shqiptar.

Ndërsa gazetari i kësaj gazete në Tiranë, Manu Sainz, e ka cilësuar këtë ngjarje si një moment të trishtë.

Manu Sainz: “Që nga ora 12 kur Real erdhi në tokën shqiptare çdo gjë shkoi mirë. Organizimi ishte mjaft i mirë, shqiptarët ishin shumë dashamirës me futbollistët dhe drejtuesit e Realit. E vetmja gjë ishte mungesa e dritave që i hoqi shkëlqimin spektaklit që duhej të jepte Reali i Madridit. Ishte një moment i trishtë dhe një moment i rëndësishëm pasi duhej të ishte një festë për popullin e Tiranës.”/tvklan.al