Përmes një konference për shtyp, Ndihmës Sekretari amerikan Todd Robinson u shpreh se “shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për reforma të vështira.”
Robinson ka takuar këtë të Martë gjyqtarë, prokurorë, hetues dhe drejtues të agjencive ligjzbatuese në vend duke i falenderuar për përkushtimin e tyre në drejtësi. Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka postuar në faqen e saj zyrtare në Facebook fjalën e Ndihmës Sekretarit. Ky i fundit theksoi mbështetjen e SHBA-së për reformën në drejtësi, duke i nxitur partnerët shqiptarë të mos dorëzohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Postimi i plotë i Ambasadës Amerikane:
“Në një pritje me gjyqtarë, prokurorë, hetues shqiptarë dhe drejtues të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, Ndihmës Sekretari Todd Robinson falënderoi partnerët tanë shqiptarë për guximin dhe përkushtimin e tyre për zbatimin e ligjit, transparencën, si dhe dhënien fund pandëshkueshmërisë. Ai nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë teksa ajo lufton krimin dhe korrupsionin.
“Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Dhe unë dua që të gjithë ju ta dini se unë dhe kolegët e mi në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur. Por si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Dhe unë do t’ju nxisja, e para, të dini se po sillni ndryshim dhe, e dyta, të mos dorëzoheni, të vazhdoni…Ne do mbështetemi te ju si partnerë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor…por më e rëndësishmja, qytetarët e zakonshëm shqiptarë besojnë te ju…dhe unë mund t’jua premtoj se teksa ju vazhdoni punën tuaj, qeveria e Shteteve të Bashkuara do jetë partneri juaj në këtë dhe do ecë krah jush në mbështetjen tuaj dhe të Shqipërisë.”
Theksojmë se pak më herët ai ka zhvilluar një takim edhe me kreun e SPAK Altin Dumani. Robinson ka mbërritur në Shqipëri të hënën dhe do të qëndrojë këtu deri të enjten e 20 Marsit. Më pas do të udhëtojë drejt Kosovës ku do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
/tvklan.al