Ish-kryekomisari Stiljan Pasho u dërgua në gjyq nga Prokuroria e Korçës për dyshimet se është përfshirë në trafik të narkotikëve gjatë ushtrimit të detyrës si Shef i Sektorit të Kufirit, në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.
Bashkë me të, i pandehur në gjykatë u dërgua edhe Elton Grabocka. Të dy ata akuzohen se kanë bashkëpunuar në trafikun e 26 kilogramëve kanabis nga Pika Kufitare e Kapshticës në Nëntor 2023.
Për këtë episod, kamerat e sigurisë dhe vartësit e Pashos tregojnë për prokurorinë se si vetë ai shkonte në pikën kufitare që të mos kryhej kontroll.
“Pasi mjeti mbërriti tek kabina, ndaloi një moment dhe në këtë kohë mbërriti dhe shefi, të cilit drejtuesi i mjetit iu drejtua me fjalët “do vish dhe ti me ne” ndërsa shefi iu përgjigj “vazhdoni, po të keni gjë më merrni në telefon”, duke i bërë me shenjë me dorë që të vazhdojë. Pasi mjeti u largua, shefi më tha se personat ishin të njohur të tij dhe se do shkonin në Greqi për të paguar një gjobë”.
Kjo makinë është ndaluar nga pala greke dhe brenda saj u gjetën 27 pako me kanabis që kapnin vlerën e 75.000 – 117.000 Euro dhe është arrestuar shoferi.
Hetuesit verifikuan edhe 3 raste të tjera të favorizimeve që ish efektivi i policisë dyshohet se ka bërë duke urdhëruar vartësitë e tij të lejojnë kalimin pa kontrolle.
Tv Klan