Emisioni “Opinion” në Tv Klan është “zhvendosur” kësaj radhe në New York në qendër të së cilës janë zgjedhjet Presidenciale 2024 në SHBA.
I ftuar për të diskutuar mbi rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe asaj që mund të ndikojë në politikën e jashtme SHBA-Shqipëri ka qenë Dritan Nesho.
Gjatë fjalës së tij, Nesho ka thënë se zgjedhja e Trumpit si President i SHBA-së ka disa faktorë pozitivë, por edhe negativë që lidhen me Shqipërinë.
Rreziku më i madh për Neshon, qëndron nga influenca që vjen nga vetë brenda Shqipërisë dhe lidhjet që sipas tij kanë disa aktorë politikë me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner.
Blendi Fevziu: Çfarë mund të ndodhë për Shqipërinë, çfarë mund të ndryshojë?
Dritan Nesho: Ka disa faktorë pozitivë dhe disa faktorë negativë. Faktorët pozitivë janë eksperienca e skuadrës së Trumpit dhe kush përflitet se kush do të vijë në Departamentin e Shtetit dhe atë Mbrojtjes.
Blendi Fevziu: Çfarë shansesh ka të vijë Richard Grenell, Sekretar Shteti?
Dritan Nesho: Asnjë shans. Do të thosha një gjë: Rreziku më i madh qëndron nga influenca që vjen nga vetë brenda Shqipërisë dhe lidhjet që kanë disa aktorë politikë me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner dhe luhatja ose mungesa e konsenguencës së tyre për pavarësinë e Kosovës. Ky është rreziku më i madh me Trumpin.
Blendi Fevziu: Ju e mendoni vërtetë rrezik këtë?
Dritan Nesho: Duhet të shikojmë tek vetë përfaqësuesit tanë që kemi zgjedhur dhe jo tek administrata e Trump sepse thembra e Akilit e sistemit amerikan kur vjen tek politika e jashtme janë Lekët që vijnë nga jashtë dhe nga lobingu dhe lidhjet transaksionale që Trump të paktën i pranon.
/tvklan.al