Gjetja e 6 pengjeve të vrarë në Gaza nga ushtria izraelite ka ngjallur zemërim dhe protesta masive kundër qeverisë së Netanjahut në Tel Aviv, por edhe Jerusalem.
Familjet e pengjeve izraelite organizuan demonstrata duke i kërkuar qeverisë të arrijë një marrëveshje me Hamasin për lirimin e atyre që ende mbahen në Gaza.
Një nga sindikatat më të fuqishme të punëtorëve në vend ka paralajmëruar të hënën një grevë të përgjithshme në mbështetje të lëvizjes së familjarëve të pengjeve.
Udhëheqësi i opozitës Yair Lapid ndodhej mes atyre që bëjnë thirrje për demonstratë të fuqishme për të detyruar qeverinë të veprojë, për të shpëtuar pengjet e tjera.
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se të shtënat me armë zjarri nga afër vranë 6 pengjet. Sipas ekspertizës, ata kanë humbur jetën 48-72 orë përpara se ushtria të ndërhynte në bazën ku mbaheshin të fshehur.
Kryeministri Netanyahu u kërkoi ndjesë familjarëve, që nuk mundi t’i nxirrte pengjet gjallë, ndërsa tha se Izraeli nuk do të “pushojë” derisa të kapë ata që janë përgjegjës. Ai theksoi se kushdo që vret pengjet, nuk dëshiron një marrëveshje.
Ndërkohë, zyrtarët e lartë të Hamasit bëjnë përgjegjës Izraelin që refuzon nënshkrimin e një marrëveshje për armëpushim në Gaza.
Lidhur me vdekjen e 6 pengjeve reagoi edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili përmes një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, tha se ndihej i indinjuar.
Klan News