Izraeli gjeti trupat e gjashtë personave të marrë peng gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Trupat e pajetë u zbuluan në një tunel në Rafah në Gazën jugore, rreth 1 kilometër larg nga vendi ku javën e kaluar u shpëtua i gjallë një tjetër peng.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, kundëradmirali Daniel Hagari tha se ato dyshohen se janë vrarë brutalisht  pak para se ushtarët izraelit të mbërrinin në vendin ku u gjetën. Mes viktimave është edhe një i ri izraelito-amerikan, i cili u mor peng gjatë festivalit të muzikës në jug të izraelit.

Kryeministri izraelit Benjamin Natanyahy ne dalje publike kërkoi ndjesë për mos shpëtimin e pengjeve duke akuzuar Hamasin se nuk dëshiron arritjen e një marrëveshjeje. Ndërsa ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant po i kërkon kryeministrit Benjamin Netanyahu të negociojë një armëpushim me Hamasin për të sjellë pengjet e mbetura në shtëpi nga Gaza.

Lidhur me këtë vdekjen e gjashtë pengjeve reagoi edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili përmes një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, tha se ndihej “i shkatërruar dhe i indinjuar”.

Të hënën është bërë thirrje për një greve e përgjithshme në Tel Aviv nga ana e sindikatave si presion ndaj qeverisë për arritjen e një marrëveshjeje dhe dhënien fund luftës 10 mujore në Gaza.

Tv Klan