Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Socialistët të ndarë në dy kampe, pro dhe anti Kongres ende nuk kanë rënë dakort për formulën e kompromisit. Për këtë flet kryetari i përfaqësisë së Kongresit të 3, Nazmi Bilani.  

Nazmi Bilani:- “Ata sot pretendojnë që po i thërret kryetari. Në fakt nuk i thërret kryetari. Kongresi s’ka mbyllur punimet sepse ka dale në balotazh një pjesë e KPD në bazë të statutit. Askush s’e ka patur parasysh këtë në momentin as kur u hodh në diskutim, as kur ne pasqyruam përpara delegatëve. Po të kishim thënë që këta 80 delegatë pavarësisht nga kontradiktat që mund të kenë me pikën e statutit do të quhen, do të konsiderohen të miratuar, kjo ishte mbyllur. Por ne s’e kishim askush, edhe ata që e kanë njohur që e kanë bërë vetë statutin s’e kishin parasysh këtë. Bile historikisht kjo pikë është neglizhuar. Dikush vë në dyshim edhe faktin që delegatët janë zgjedhur po në të njejtën mënyrë. Por ama në Kongres ka një komision të kontrollit të mandateve që kontrollon mandatet dhe thotë që mandatet janë legjitim. Pas kësaj nuk ka më dyshime është Kongresi ai, është niveli më i lartë. Nuk mund ta vëri në dyshim kush këtë”.

Gazetari:- Çfarë kushti duhet të plotësohet që të njihen rezultatet e së premtes. Duhet më shumë se gjysma e delegatëve në Kongres?

Nazmi Bilani:- “Po më shumë se gjysma, ky është një kusht për të gjitha organet që punojnë në mënyrë kolegjale”.

Ndërkohë kundërshtarët e Kongresit po grumbullojnë firma për të mbledhur KPD-në e tyre duke refuzuar pjesmarrjen në seancën e të premtes të Kongresit Socialist.

Ndre Legisi, deputet i PS:- “Edhe zoti Fatos Nano, edhe zoti Gramoz Ruçi, edhe të gjithë të tjerët, kanë qenë prezent në tribunë në momentin kur është deklaruar para delegateve, që në listë do mbeteshin 171 emra dhe do të hiqeshin 91 për të mbetur 80. Dhe 80 të parët do ishin dhe fituesit. Tani as që diskutohet që ne mund të marrim pjesë në një Kongres që nuk është statutor, që nuk dihet se kush e ka thirrur. Sepse përfaqësia nuk ka një kopetencë të tillë, përfaqësia vepron mbi bazën e një udhëzimi të miratuar nga KPD dhe udhëzimin besoj e ka shoku Fatos Nano dhe e njeh funksionin e përfaqesisë e cila nuk është as statutore dhe nuk ka të drejtë as kryetari i partisë që ta thërresë kongresin, nuk ka të drejtë askush të therrasë Kongresin perveçse KPD-ja”./tvklan.al

Gazetari – Vladimir Lame