Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Ministri i Rendit Igli Toska ka vazhduar valën e ndryshimeve në radhët e policisë së shtetit. Kësaj radhe është komunikuar urdhri për të larguar nga detyra një prej oficerëve më të vjetër të policisë, Tonin Vocaj. Vocaj është larguar nga posti i drejtorit të Policisë së Qarkut Durrës, me motivacionin, “për nevoja të organizimit të punës”.
Po sot, Tonin Vocaj është emëruar shef i sektorit në drejtorinë e policisë kriminale. Gjatë drejtimit të policisë së këtij qarku Tonin Vocaj, Toska kishte vlerësuar punën e realizuar në këtë drejtori, sidomos në luftën kundër drogës. Vetëm 4 ditë më parë në një mbledhje me drejtorët e policisë në qarqe, ministri kishte paralajmëruar se do të vazhdonte reformën në nivel horizontal dhe vertikal.
Në 8 muaj që Igli Toska drejton Ministrinë e Rendit janë larguar nga detyra mjaft oficerë të lartë policorë, disa prej tyre të përjashtuar nga radhët blu, ndërsa të tjerë të postuar në sektorë të nivelit të mesëm në ministri./tvklan.al
Gazetare: Aranita Brahaj