Pas shkarkimit nga posti i Ministrit të Drejtësisë të Ylli Manjanit, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Meta shoqërohej nga Petrit Vasili, i propozuar nga Kryeministri Edi Rama si zëvendësues i Manjanit, në postin e Ministrit të Drejtësisë.
Takimi që zgjati rreth 20 minuta u zhvillua në Presidencë dhe vjen pasi Rama i ka dërguar Presidentit kërkesën për shkarkimin e Manjanit dhe propozimin për emërimin e Vasilit në vend të tij.
Ndërkohë, në një dalje nga selia e LSI, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Erisa Xhixho konfirmoi propozimin e LSI të Petrit Vasilit si Ministër i Drejtësisë, bazuar edhe në rolin e tij si anëtar i komisionit të Reformës në Drejtësi.
Xhixho njoftoi gjithashtu se kryesia ekzekutive propozoi Luan Ramën për kryetar të Grupit Parlamentar të LSI-së./tvklan.al