Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar ndryshimet në qeveri që janë bërë publike nga Kryeministri Edi Rama.  Në postim në mediat sociale, në emër të PD, Bardhi shkruan se ndryshimet nuk sjellin asnjë dhe janë vetëm riciklim të korruptuarve.

Nuk ka ndryshime në qeveri, ka riciklim të të korruptuarve për shkak të luftës mes klaneve në pushtet. Edi Rama është i lodhur, i vjetëruar, pa ide, pa ekip dhe i pafuqishëm për të ndaluar këtë luftë që dobëson ekonominë për interesa privatë. Në vend që të ndihmojë financiarisht dhe të rrisë punësimin për shqiptarët, Rama u siguron punë vetëm miqve të tij”, thekson ai.

Më tej numri 2 i PD shton se Rama është një dështim dhe në 8 vite qeverisje nuk ka ofruar asnjë për shqiptarët.

Edi Rama është një dështim. Ai është i paaftë të ndryshojë gjërat dhe vazhdon të bëjë keq e më keq. Vendit nuk i duhen arnime të vjetëruara, por i duhet ndryshim. Prej 8 vitesh Edi Rama ka ofruar veç dështime dhe një qeveri që kujdeset vetëm për veten.  Mjaft më! Është koha për të sjellë ndryshimin dhe shpresë të re në Shqipëri. Është koha për të zgjedhur një qeveri që kujdeset për njerëzit, jo për veten e saj”, mbyll reagimin e tij Gazment Bardhi./tvklan.al