Afrimi i Partisë Demokrate Reformatore drejt Partisë Demokratike me qëllim bashkimin e afërt, por edhe tendenca e Partisë Aleanca Demokratike për t’u rikthyer në kampin nga u krijua, shihet nga republikanët si zhvillim që do të konsolidojë spektrin e djathtë.
Nënkryetari i Partisë Republikane Neritan Alibali deklaroi për televizionin Klan, se ndryshimet që po ndodhin në partitë e mazhorancës janë shenja të qarta, se partitë e këtij grupimi do të dalin me një koalicion në zgjedhjet e ardhshme.
Neritan Alibali: “E djathta ka një proces shëndetësimi, ka një proces, i cili ndoshta edhe vetë pushteti kanë konsoliduar ose më mirë them kanë sheshuar të gjitha ato probleme të gjitha ato pikëpamje të ndryshme dhe qëndrime të ndryshme politike të grupimeve të veta. Nuk mund të harrojmë që këtu bën pjesë edhe Partia Demokristiane ose më mirë themi të paktën duken dy parti demokristiane. Ne nuk e konsiderojmë këtë si vija e ndarjes midis partisë Republikane, koalicionit të djathtë dhe Partisë Demokristiane.”
Alibali tha, se partia Republikane do të ruajë pozitat e saj brenda së djathtës. Si një forcë që ka krijuar profilin e vet politik në vite.
Neritan Alibali: “PD është shumë afër pozicionit të zgjidhjes së drejtë të çështjes së pronave sot siç kanë qenë në vitin 2005. Po ashtu edhe partia republikane është më afër disa koncepteve të PD sesa çka qenë në vitin 2005. Kjo në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk do të thotë që ne po shkojmë drejt një programi të vetëm politik partiak, por nuk përjashtohen të gjitha llojet e bashkëpunimit.”
Ai tha se Partia Republikane do të vazhdojë të ketë pjesë të programit të saj zgjidhjen e çështjes së pronave, duke ndërmarrë edhe nisma të ndryshme ligjore që shkojnë në këtë drejtim./tvklan.al
Gazetare: Anila Rama