Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në turin e saj elektoral nën logon “Shqipëria po ndryshon” ka zhvilluar disa takime me simpatizantë e mbështetës të zona të ndryshme të vendit. Duke u ndalur në reformat e këtyre katër viteve kryeparlamentarja tha, se ndryshimi e ka prekur tashmë Shqipërinë.

Jozefina Topalli: “Kurrë Shqipëria s’ka qenë më dinjitoze, kurrë shqiptarët s’kanë qenë më të respektuar edhe në këto 4 vite çdo ditë, çdo muaj, çdo vit kemi menduar si ta kapërcejmë veten, si të kapërcejmë përtej atyre premtimeve që kemi realizuar dhe në fakt e kemi mbaru. E kemi bërë me rrugë nacionale, e kemi bërë me energji elektrike, e kemi bërë me laboratorë kompjuterike e mbi të gjitha e kemi bërë me realizimet e integrimit  të Shqipërisë.”

Në vitin 2013 Shqipëria do të jetë gati për t’u anëtarësuar në BE u tha ministri i punëve të jashtme zoti Lulzim Basha studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

Në bashkëbisedim më ministrin Basha ata janë interesuar për këtë proces sikundër edhe për liberalizimin e vizave. Në 4 vjet kjo mazhorancë tha Basha, ka investuar në komunën Funar 154 milion lekë, përkundrejt 25 milion lekëve të qeverisë socialiste në 8 vjet.

Kjo mazhorancë që e ka ndryshuar Shqipërinë tha Basha në komunën Funar, do vazhdojë të rrisë pagat dhe pensionet, të asfaltojë rrugë e të sjellë shpresë në ndryshim tek çdo familje shqiptare.

Lulzim Basha: “Brenda vitit 2010 të sigurojmë statusin e vendit kandidat për angazhim të plotë në BE. Në vitin 2011 Shqipëria kandidate për anëtarësimin në BE, të nisë negociatat me BE-në për anëtarësim të plotë që në vitin 2013, pra në fundin e mandatit të dytë, Shqipëria të jetë gati për anëtarësim të plotë në BE dhe në 12 muajt e parë të mandatit tonë të dytë do ta bëjmë realitet … dhe jashtë kësaj salle që ka një pasaportë biometrike nuk do të ketë më nevojë të kalojë në rrugën e ambasadave. Tubimi tek “Qyteti Studenti” me ministrin e fundit të punëve të brendshme të diktaturës komuniste që i përgjaku studentët, me ministrin e fundit të arsimit të diktaturës komuniste, që dërgonte sigurimin nëpër shkolla … Rikthimi me Gramoz Ruçin dhe Skënder Gjinushin, nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e dështuar e nomenklaturës së përmbysur për t’u riinstaluar me paketim të ri.”

Kreu i republikanëve Fatmir Mediu zhvilloi një takim në zonën elektorale numër 52 në Tiranë. Në prezantimin e kandidatit për deputet Besnik Bisha, kryerepublikani tha se arritjet e këtyre 4 viteve janë arritje të të gjithë shqiptarëve të cilët votuan në 2005 për koalicionin e djathtë.

Fatmir Mediu: “Duhet që patjetër me këto lloj bindje dhe ndjenje, me këtë lloj mundësie që na jepet, me këtë lloj vizioni ne të bashkohemi me njëri-tjetrin. Të vazhdojmë rrugën tonë të ndryshimit në shërbim të interesave të fëmijëve tanë, të familjeve tona, të prindërve tanë, të Tiranës, të Shqipërisë dhe të mbarë kombit shqiptar.”

Zëvendës kryeministër Genc Pollo zhvilloi disa takime me mbështetës e simpatizantë të Lapardhasë së Beratit, duke kritikuar ashpër modelin e qeverisjes së bashkisë së Tiranës, Pollo tha se ky vend është harruar nga Rama.

Genc Pollo: “Po e keni parë ndonjëherë Edi Ramën të vijë dhe të interesohet realisht për problemet tuaja. A e keni parë ndonjëherë Edi Ramën të flasi për gjëra që janë vërtetë me interes për ju, përveç se për certifikatat e tokës që ai kujton se nuk janë ndarë akoma.”…/tvklan.al