Aleko Petro është dhunuar në qeli nga të burgosurit e tjerë. Ngjarja ka ndodhur në burgun e Koridhalos, ku 52-vjeçari është dërguar aty pasi gjykata greke e la në burg pa afat deri në përfundim të hetimeve. Të burgosurit e kanë dhunuar psikologjikisht dhe fizikisht, duke e sulmuar për vrasjen e vajzës së tij, Anxhelina Petro.

Lajmi është bërë i ditur nga Vasilis Noulezas, avokati i 52-vjeçarit shqiptar, i cili ka deklaruar se pas kësaj ngjarje Aleko Petro është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Sipas avokatit, 52-vjeçari është në gjendje të rënduar psikologjike. Ai tregon se Aleko i kishte rrëfyer që ka frikë për jetën e tij. Shqiptari ka thënë se u sulmua egërsisht dhe ka kërkuar që të transferohet në burgun e Grevenas.

Aleko ka pranuar që dhunoi për vdekje vajzën e tij Anxhelina Petro, pasi nuk pranonte lidhjen e saj me  një emigrant afgan. 52-vjeçari ka kërkuar gjithashtu që të varet në shesh publik dhe dënimi i tij të shërbejë si shembull. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Korfuz më 2 Janar. Ndërkohë, trupi i Anxhelina Petros mbërriti në Shqipëri më 8 Janar dhe u përcoll për në banesën e fundit të nesërmen. Trupi i 29-vjeçares prehet në vendlindjen e saj, në Berat.

/tvklan.al