Gjykata e Strasburgut ka dënuar shtetin shqiptar me një gjobë prej 17.500 Eurosh për rastin e Arben Strazimirit, i arrestuar në vitin 2008 për tentativë vrasje me paramendim. Në vendim thuhet se Strazimiri ishte liruar nga përgjegjësia penale për shkak të problemeve mendore, por mbahej në burg dhe jo në një institucion të kujdesit mjekësor.

Rasti që sjellim sot flet për një të sëmur mendor, Ahmet Gaçi, 58 vjeç, i cili akuzohet për ngacmim seksual, por meqë është i sëmurë përjashtohet nga gjykimi dhe mbahet në burgun e Zaharisë. Ai po bën 4 vjet në burg, edhe pse s’ka një vendim gjykate. Ekspertët e gjykatës menduan që ai të mjekohej në mënyrë ambulatore në shtëpi, por në Martanesh të Dibrës nuk ka mjek psikiatër, ndaj e futën në spitalin e burgut në Zahari.

“I jam drejtuar emisionit tuaj për familjarin tonë, i cili bën 4 vite që ndodhet në burgun e Zaharisë. Është kallëzuar penalisht nga komshija e tij për ngacmim seksual. Gjykata e ka përjashtuar nga dënimi. Personi rezulton i papërgjegjshëm, vuan nga prapambetja mendore. Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, personi duhet të trajtohet në mënyrë ambulatore. Kjo nuk ka ndodhur, sepse zona ku ai jeton nuk ka një psikiatër. Jo vetëm në Martanesh, por në të gjithë qarkun e Dibrës”, tregon për Stop një e afërme e Gaçit.

Gazetarja e Stop shkoi në Spitalin Rajonal Dibër. Aty mësoi se qarku i Dibrës ka vetëm një neuropiskiatër, i cili bën edhe neurologun, edhe psikiatrin. Në rastet kur diagnoza nuk e bind, ai i dërgon në 3 spitalet e specializuar; Tiranë, Shkodër apo Elbasan.

Neuropsikiatri-Po, jam edhe neurolog edhe psikiatër.

Neuropsikiatri-Neurolog është tjetër dhe psikiatër është tjetër.

Neuropsikiatri-Unë i jap shërbim, vizitë, mjekim. Kur nuk jam i bindur, shkon për konsultë në Tiranë.

Neuropsikiatri-Kur duhet me u shtruar, e çoj në Spitalin e Shkodrës, Tiranë, Elbasan.

“Ndonëse mbahet për mjekim të detyruar ai nuk ka marrë asnjë lloj mjekimi për problemin që mjekësia ligjore ka konstatuar. Është mjekuar për stomak. Që të kurohet në shtëpi nuk e nxjerrin, për ta mbajtur brenda nuk i japin mjekimin e duhur, çfarë duhet të bëjë një person i tillë? Duhet të presë 50 vite derisa të shkojë një psikiatër në zonën e Martaneshit? Gjykatës i kemi drejtuar 2 herë kërkesë me shkrim për revokimin e këtij vendimi dhe nuk është marrë parasysh asnjë gjë”, tregon më tej denoncuesja.

Avokati i Gaçit tregon se kjo është shkelje e të drejtave të njeriut, por ndjehet i pafuqishëm për të çuar në vend drejtësinë për klientin e tij.

“Ai duhej të mjekohej ambulatorisht. Gjykata atë mendim të mjekut psikiatër nuk e ka marrë parasysh, por ka vendosur mjekim të detyruar. Shteti shqiptar nuk ka një spital për ata të cilët me vendim gjykate iu caktohet mjekim i detyrueshëm. Duke mos pasur të tillë, këtë funksion e kryen burgu i Zaharisë. Kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut. I jam drejtuar përsëri gjykatës me kërkesë për revokimin e masës mjekësore, për ndryshimin e saj. Është absurde, vendimi i gjykatës. Vete mjeku tek pacienti, jo pacienti tek mjeku. Shteti ka detyrimin që të çojë mjekun, i mbajnë nën kujdes këta persona”.

Për akuzën e ngacmimit seksual dhe kanosjes, Ahmet Gaçi nëse do të ishte i aftë mendërisht do të vuante dënimin nga 6 muaj deri në 3 vjet burg. Por ai ka 4 vite brenda, ndonëse është i sëmurë.

“Familjarët e Ahmet Gaçit më kërkuan nëse duhet t’i drejtoheshin Stop-it apo jo për këtë çështje dhe unë isha pro, për të vetmen arsye se unë si avokat, me vërtetë më vjen rëndë që nuk kam çfarë t’u them familjarëve”, tregon më tej avokati.

Dy janë nenet e shkelura nga gjyqtarja dhe prokurorja e çështjes në këtë rast janë neni 252, mbajtja në burg pa vendim gjykate, si dhe neni 248, shpërdorimi i detyrës. Për këtë arsye, gazetarja iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër. Mirëpo gjyqtaren nuk e gjeti, sepse kishte marrë raport mjekësor. Gazetarja bisedoi me Kancelarin e gjykatës.

Kancelari-Është marrë një vendim, nr 31, ka kërkuar, po përsëri pala…

Gazetarja-Po!

Kancelari-Me avokatin për të revokuar masën.

Gazetarja-Dhe është hedhur poshtë.

Kancelari-Po, është hedhur poshtë. Ka shkuar në Apel dhe Apeli e ka lënë në fuqi me argumentet, si me thënë, që ka dhënë gjyqtarja.

Gazetarja-Po Nertila (gjyqtarja e çështjes), prej sa kohësh ka marrë leje?

Kancelari-Nga Shtatori është me raport “Paaftësi të Përkohshme”, deri më datë 7.12-ti është me… pas kësaj date, a do e përsërisë, a do vijë në punë…

Gazetarja pati gjithashtu një bisedë telefonike me kryetarin e gjykatës, Retvan Veçani.

Gazetarja-Përshëndetje zoti Veçani, si jeni?

Kryetari i Gjykatës-Mirë!

Kryetari i Gjykatës-Kërkoni për rastin e Ahmet Gaçit?

Gazetarja-Po, në momentin që është i sëmurë mendor, ai përjashtohet nga dënimi, përse duhet të mbahet në burg?

Kryetari i Gjykatës-O zonjë, më fal!

Kryetari i Gjykatës-Nuk mund të ndërhyj unë në cilësinë e Kryetarit mbi vendimmarrje!

Gazetarja-Gjyqtarja Kape ka shkelur nenin 252 në këtë rast.

Kryetari i Gjykatës-Gjyqtarja…

Kryetari i Gjykatës-Dakord! Mund t’i drejtoheni institucioneve.

Gazetarja-Ka shpërdoruar dhe detyrën.

Kryetari i Gjykatës-Mund të referoheni në organet përkatëse, në qoftë se keni kundërshtim ndaj vendimit.

Kryetari i Gjykatës-Mbi vendimet konkrete, nuk bëjmë dot komente!/tvklan.al