“Lum kush ka motër!”, është një nga frazat që është shqiptuar më së shumti gjatë temës së ditës në “Shije Shtëpie” në Tv Klan ku u trajtua marrëdhënia e veçantë mes motrave. Xhodi Skura, motra e moderatores dhe ish-Missit Inger Skura, tregon se kanë qenë gjithnjë të pandara. Ato kanë vetëm një vit e gjysmë diferencë me njëra-tjetrën dhe që nga shkolla e në çdo kompeticion janë gjendur bashkë.
Një marrëdhënie e veçantë, e ngushtë, me shumë sekrete, zënka të vogla e mbi të gjitha shumë dashuri dhe vëmendje ndaj njëra-tjetrës. Së fundmi, Inger ka ndarë lajmin se do të bëhet nënë për herë të parë dhe Xhodi mezi pret që të bëhet teze. Ajo është e vetëdijshme se vëmendja e motrës së madhe do të kalojë te vajza që do të vijë në jetë, ashtu si e saja që do ta anashkalojë pak Ingerin. Xhodi e ka mësuar menjëherë pas partnerit të Ingerit lajmin e bukur dhe tregon sa e lumtur është që do të ketë një mbesë.
Xhodi Skura: Të gjithë njerëzit po thonë që është një ndjesi shumë e bukur, njerëzit që e kanë provuar dhe unë mezi po pres se dëshiroja që të ishte me shëndet të mirë, kjo ka rëndësi, por që aty thellë-thellë gjithmonë e kam parë Ingerin me atë kujdesin që ka pasur që te kukullat e vogla, unë i këpusja kokën, ajo i krihte. Kur mendon njeriun që do të krijojë një familje, e mendon gjithmonë që Ingeri të paktën fëmijën e parë do e ketë vajzë. Kur u bë festa që doli edhe gjinia e bebit, isha në atë sfondin duke bërtitur, i thashë Ingerit ule, mbushe me shumë muzikë. Mezi po pres. Është bekim të kesh një motër. Nëse njerëzit mërziten që nuk shkojnë mirë me shoqet, ndoshta nuk kanë një shoqe të ngushtë në jetë se qëllon ndoshta edhe mos ta kesh, kur rritesh e kuptojmë shumë mirë kështu që thua që çdo lloj të mire, çdo lloj të keqeje e ndan me motrën tënde, shoqen e ngushtë që unë tani duke u rritur dita-ditës e kuptoj shumë mirë që përveç asaj nuk mund të kesh më afër njeri tjetër./tvklan.al