Shqiptarët i përjetuan në ankth tre ditët në pritje të paqes në Kosovë. Në Selinë Qëndrore të NATO-s në Bruksel, ku që nga 24 Marsi i këtij viti Aleanca e Atlantikut të Veriut vendosi t’i përgjigjej me gjuhën e forcës regjimit të Millosheviçit, orët e pritjes ecnin ngadalë. Në javën e fundit të luftës miq të priviligjuar të NATO-s ishin dhe një grup gazetarësh të mediave elektronike shqiptare. Aleanca e priti me optimizëm të madh hartimin e projektrezolutës për Kosovën nga ministrat e jashtëm të G8-ës.
Zëdhënësi i NATO-s Xhemi Shi e kushtëzoi menjëherë ndërprerjen e bombardimeve me tërheqjen e të gjitha trupave ushtarake serbe nga Kosova. Pas 20 orë bisedimesh nga çadra e tij në Kumanovë, Gjenerali Anglez Majk Xhekson, i dha fund hamendjeve për fatin e luftës. Gjeneralët e ushtrisë jugosllave kishin pranuar të largoheshin nga Kosova për t’u zëvëndësuar nga 50 mijë ushtarët e NATO-s.
Aleanca vendosi të fusë menjëherë trupat paqeruajtëse në Kosovë sapo të niste tërheqja e ushtarëve serbë. Ajo çka vlerësohej më tepër në NATO ishte pjesëmarrja e 10 mijë ushtarëve rusë në misionin paqeruajtës në Kosovë nën komandën e Aleancës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana, pas mbledhjes së këshillit të ambasadorëve, deklaroi zyrtarisht fundin e bombardimeve. Ky vendim u përshëndet nga Ambasadori i Shqipërisë në NATO, Artur Kuko.
NATO e kishte fituar betejën për Kosovën duke hapur rrugën e kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre. Zyrtarët e lartë të Aleancës kërkojnë nga UÇK-ja të mos kryejë incidente gjatë tërheqjes së trupave serbe. Vendimi i ndërprerjes së sulmeve ajrore ishte marrë me konsensusin e të gjitha vendeve anëtare të Aleancës. Komandanti Suprem i NATO-s, Gjenerali Uesli Klark kishte arsyetuar në terren vendimin e marrë duke i paralajmëruar serbët ti përmbahen marrëveshjes së nënshkruar në Kumanovë.
Që nga viti 1994 Shqipëria bën pjesë në partneritetin për paqe të NATO-s me vendet e Europës Lindore. Pozicioni që ka mbajtur shteti shqiptar gjatë muajve të konfliktit ka gjetur simpatinë e zyrtarëve të NATO-s. Shqiptarët kanë kontributin e tyre në vendosjen e paqes në Kosovë, u deklaroi gazetarëve Zëdhënësi Xhemi Shia, ndaj NATO duhet të luajë rolin e saj në rindërtimin e Shqipërisë./tvklan.al
Gazetar: Vladimir Lame