Ambasadorët e BE nuk gjejnë dakordësi për draftin final
Konferenca ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE ka pak gjasa të mbahet gjatë muajit Dhjetor. Një ditë pasi këtë e deklaroi Kancelarja gjermane Angela Merkel, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm i përberë nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE nuk ka rënë dakord që tryeza e parë të mbahet në Dhjetor.
Ambasadoret nuk gjetën dakordësi për draftin final që do t’i çohet për miratim ministrave të Jashtëm që do të mblidhen në 8 Dhjetor e ku duhet të marrin një vendim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Diskutimet e bëra gjatë 24 orëve vlerësojnë progresin e vendit tonë, por theksojnë se duhet ende të përmbushen kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian në mënyrë që të caktohet një date për konferencën ndërkombëtare.
Në draftin paraprak specifikohet se Shqipëria i miratoi me konsensus ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të dakortësuara në 5 Qershor, por kërkohet dialog politik për zbatimin e ndryshimeve.
Gjithashtu në dokumentet theksohet fakti që vendi është ende pa Gjykatë Kushtetuese, ngritja e së cilës është një nga kushtet e Brukselit si dhe fakti që Gjykata e Lartë ka vetëm një nga dhomat funksionale e duhet të shkohet sa më parë drejt emërimit të të gjithë anëtarëve të saj.
Sa i takon Maqedonisë së Veriut diskutimet e bëra nga ambasadorët përqendrohet vetëm tek hartimi i kuadrit ligjor negociues. Dhe sapo ai të jetë përfunduar mund të vendoset një datë për konferencën qeveritare ndërkohë që ende nuk është zgjidhur ngërçi në marrëdhëniet mes saj dhe Bullgarisë që kërcënon me veto për shkak të mosmarrëveshjeve për çështje historike.
Tv Klan