Shkrihen akujt mes mazhorancës dhe opozitës pas takimit të radhës që u zhvillua në presidencë mes Kreut të Shtetit, kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Kreu i mazhorancës shoqërohej në këtë takim të dytë me Presidentin Topi, nga kreu i grupit kuvendor të Partisë Demokratike Astrit Patozi, ndërsa lideri i opozitës nga kreu i Asamblesë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

Pas takimit që zgjati për afro 1 orë e 20 minuta, Zoti Ruçi deklaroi se grupi parlamentar  socialist do të hyjë në kuvend në rast të ngritjes së një Komisioni Hetimor në përputhje me Kushtetutën. Pikë kjo ku palët  konvergojnë qëndrimet  e tyre në respekt të plotë të ligjit themeltar të shtetit dhe rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Gramoz Ruçi:“Partia Socialiste është e vendosur për të zbatuar rezolutën e Këshillit të Europës, e cila kërkon 3 gjëra: e para Komisioni Hetimor në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e dyta kthimin e opozitës në parlament. Ajo që ne i ritheksuam presidentit është që  Partia Socialiste shpreh gjithë vullnetin e saj politik për të zbatuar këtë pikë të rezolutës të Këshillit  të Europës, për të zbatuar këtë pikë sipas kërkesave të rezolutës të Këshillit të Europës , sipas nenit 77  paragrafit të dytë të Kushtetutës së Shqipërisë dhe sipas pikës 4 të interpretimit që i ka bërë Gjykata e Republikës së Shqipërisë objektit të hetimit të Komisioneve Hetimore. Ky është pozicioni i Partisë Socialiste.”

Dhe Kryeministri Berisha pas takimit  me Presidentin Topi që zgjati për më shumë se 50 minuta tha se mbetet i vendosur dhe i hapur për dialog konstruktiv në lidhje me çështjet bilaterale mes palëve.

Sali Berisha: “Ne sërish riafirmuam qëndrimin tonë të vendosur që të mbetemi të hapur për dialogun. Të mbetemi të hapur për shqyrtimin e të gjitha problemeve të lidhura me procesin zgjedhor të cilat kualifikohen si probleme bilaterale. Presidenti po vazhdon të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergimeve mes palëve. Afirmoj dhe njëherë vullnetin tim për dialog dhe jo vetëm dialog por dhe gatishmëri për një zgjidhje me frymë konstruktive të të gjitha problemeve bilaterale.”

Ky është takimi i dytë që si Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe ai i selisë blu Sali Berisha zhvillojnë me kreun e shtetit. Një takim ky që vendos një urë të re bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro