Më 12 qershor, në kinema “Millenium” do të shfaqet dokumentari historik nga Admirina Peçi, “Koha për t’u kthyer në shtëpi”. Dokumentari është fokusuar në historitë, dëshmitë, informacionet, rrëfimet për gjenocidin grek në Çamëri.
Ndër këto rrëfime, gazetarja kujton në “Shije Shtëpie” në Tv Klan një ngjarje sa të dhimbshme, po aq edhe frymëzuese e që trajton kufijtë e mbijetesës.
Admirina Peçi: Një rrëfim shumë interesant që unë kam marrë nga këta është në një familje në Shalës kanë marrë një fëmijë të mbetur jetim. Ai kishte ardhur me nënën dhe me një vëlla dhe pasi vëllai, pak më i rritur e kishin marrë dajat e tij, kishte ngelur vetëm me nënën dhe nëna pas pak ditësh vdes, ky ishte 3 vjeç. Imagjinoni një fëmijë 3 vjeç i mbetur vetëm atje, kishte ngelur në një rrugë dhe kalon rastësisht një burrë në një kalë dhe i thotë “pse qan?”, “më ka vdekur nëna”. Edhe i thotë “po ku do të të çoj?”, “më ço ku të jenë ata çamët e tjerë”, i thotë dhe ky e merr dhe e çon te xhamia e Shalësit.
Në këtë xhami, shpjeegon Admirina, ishin strehuar 100 çamë. Vetëm në dhjetor kishin mbërritur 23 mijë e bashkë me të tjerë që kishin ardhur më herët, shifra arrinte në thuajse 30 mijë. Për të paktën 3 vite, ata jetuan ku të mundnin.
Admirina Peçi: Ky djalë i vogël 3-vjeçar që kishte shpëtuar nga masakrat, jetim, i mbetur vetëm, e merr një nënë aty në Shalës. Ai shkonte zakonisht me një djalë pak më të madh dhe i thotë ky djali i madh që “jemi të uritur”, por ky djali i madh shkonte, merrte ushqimin dhe ia merrte edhe të voglit. Ai vetëm e merrte përdore që t’i krijonte keqardhje asaj nënës atje. Janë kushte mbijetese, mund të na duken detaje të parëndësishme, por ky është një detaj që tregon se deri në çfarë kushtesh ishin njerëzit për të mbijetuar.
Agida Koçi: Pra djali i madh hante edhe ushqimin e të voglit.
Admirina Peçi: Dhe nëna e kishte kuptuar dhe të nesërmen i thotë “të vish përditë të marrësh, por djalin e vogël do ta mbaj unë” dhe që atë ditë ajo e merr dhe e rrit djalin e vogël. Djali i vogël rritet dhe bëhet 15 vjeç te familja nga Shalësi. Është një histori frymëzimi, unë jam befasuar sesi e tregonin fëmijët e asaj nënës dhe ai ishte bërë 15 vjeç në shtëpinë e tyre, pastaj kishte vazhduar, kishin krijuar jetën e tyre por që nuk e harronte kurrë dhe vinte vazhdimisht. Kur kishte vdekur nëna e gjetur që ishte 90 vjeç siç e dëshmojnë familjarët, “ai qante në penxhere”, thotë ajo banorja e shtëpisë. Është një traditë që e ka zona afër Konsipolit dhe qante, “ne gratë nuk dinim ta qanim ashtu”, për nënën që i kishte vdekur, nëna ishte 90 vjeç por ajo ishte nëna që e kishte njohur, që e kishte shpëtuar nga mizeria./tvklan.al