Një nëndetëse pa pilot për të transportuar 1 kuintal kokainë në ujërat ndërkombëtare midis Shqipërisë dhe Italisë. Kjo ishte “ëndrra” e një rrjeti italo-shqiptar të trafikut të drogës i goditur një ditë më parë në një operacion të përbashkët të policive të të dyja vendeve.
Në krye të saj besohet se qëndronin dy vëllezër nga Shqipëria të shpallur në kërkim. Gjithsej janë 14 të dyshuar, shqiptarë dhe italianë që e kishin shtrirë rrjetin e tyre nga Ekuadori në Belgjikë, Francë, Spanjë dhe Itali.
“Corriere della Sera” zbulon se nëndetësja ishte ndërtuar nga një 59-vjeçar nga Napoli, me precedentë penalë. Giovanni La Montagna kishte nofkën “magjistari i bravave”, i arrestuar në 2016-ën për vjedhjen kasafortës së një banke me 20 milionë Euro. Hetuesit thonë se ai nuk ishte pjesë e bandës, por kishte blerë rreth gjysmë kilogramë kokainë prej saj.
Nëndetësja e telekomanduar në distancë nuk ishte vënë në punë, por ishte testuar dy herë më 27 dhe 30 Tetor të vitit të kaluar në ujërat e liqenit Grande në Avigliana. Agjentët e policisë që po e mbanin grupin nën përgjim filmuan edhe testimin. Me ndërhyrjen e policisë u sekuestrua 204 kilogramë kokainë, hashash dhe marijuanë në një magazinë.
Tv Klan