Procesi i aplikimit për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime është përshëndetur nga Aleanca Demokratike.

Presidenti i saj, Neritan Ceka, shprehu mbështetjen e partisë së tij për këtë proces të ndërmarrë nga mazhoranca qeverisëse në të gjitha instancat ku ajo përfaqësohet me anëtarët e saj.

Nga ana tjetër ai komentoi deklaratat e fundit të socialistëve duke thënë se nuk është në moralin e tyre që të bllokojnë këtë proces.

Neritan Ceka: “Aleanca Demokratike përshëndet fillimin e procesit të shpërndarjes së tyre, kualitetin shumë të lartë, në avangardë të gjithë kartat e identitetit evropiane, bazimin e tyre në ligjin e miratuar nga parlamenti në regjistrin themelor të shtetasve. Nga ana tjetër tërheq vërejtjen që e gjithë propaganda e Partisë Socialiste kërkon ta poshtërojë këtë proces/. Është një propagandë që ne e konsiderojmë antikombëtare. Të ketë turp për tetë vitet që e bllokoi këtë proces për arsye thjesht korruptive. Po e them këtë në funksionin tim të dikurshëm si Ministër i Brendshëm. Veçanërisht në vitin 2005 kur qeveria socialiste ka hedhur në Lanë 6 milion euro”.

Deklaratat e presidentit të PAD-së vijnë pak ditë pasi procesi për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti ka nisur në kryeqytet dhe ndërkohë pritet të shtrihet brenda Janarit në të gjitha rrethet e vendit.

Në këtë dalje për mediat Ceka foli edhe për çështje teknike të procesit duke sugjeruar që shenjat e gishtërinjve të mos merren pas daljes në pension./tvklan.al